Live

Në Kosovë rriten çmimet e produkteve bazike

10:15 / 31 Korrik 2019

Nga Kosova Live

Qytetarët e Kosovës po ankohen se çmimet në treg kanë shënuar ngritje muajve të fundit. Ata thonë se disa nga produktet e konsumit të përditshëm janë më shtrenjtë se sa në vendet shumë më të zhvilluara se Kosova, raporton Radio Kosova.  Ngritjen e çmimeve  e ka konfirmuar edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila ka evidentuar ngritje të çmimeve te produktet bazike si: buka dhe drithërat, qumështi, djathi, vezët, perimet, pijet alkoolike etj.

Njëri nga mërgimtarët, i cili jeton në Danimarkë, ka thënë të martën Radio Kosovës, se disa nga produktet ushqimore janë më të shtrenjta këtu në Kosovë sesa në Danimarkë.

“Unë jetoj në Danimarkë dhe disa artikuj janë më të shtrenjtë se atje,  sidomos artikujt ushqimorë janë shumë më të shtrenjta se në Danimarkë. Produktet ushqimore janë më të shtrenjta në krahasim me të ardhurat dhe kushtet që janë këtu”, ka thënë qytetari.

Edhe Selatin Kaçaniku  nga organizata “Konsumatori”, ka thënë se çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë janë më të larta se në vendet e Bashkimit Evropian.

“Ne çdo gjë e kemi me të shtrenjtë, edhe fuqinë punëtore, ani pse e kemi me bollëk, edhe çmimet e të gjithë artikujve, p.sh: Çmimet e ushqimeve janë më të  larta në Kosovë se në Bashkimin Evropian, ani se të ne mesatarja e rrogave është shumë me e ulët”, ka thënë Kaçaniku.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se ngritjet  e çmimeve nuk mund t’i cilësojmë si të arsyeshme apo të paarsyeshme. Ngritjet e çmimeve vijnë  atëherë kur kërkesat janë më të mëdha se sa ofertat e produkteve të caktuara.

“Tregu vepron në bazë të kërkesës, dhe çdo rritje e kërkesës përcillet me rritje çmimesh. Çdo tregtar e shfrytëzon këtë element për shkak që sa më shumë që ka kërkesa kjo ndikon në rritje të shitjeve dhe normalisht kjo shfrytëzohet”, ka deklaruar kreu i OEK-ut.

Shumë ekspertë të ekonomisë thonë se ngritja e çmimeve në Kosovë është në mëshirën e bizneseve dhe nuk kontrollohet nga askush, sepse një gjë të tillë e lejon ekonomia e tregut.

Shpërndaje në

U Kopjua