Live

Në Lisbonë organizohet mbrëmje festive për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

15:41 / 25 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë, Ambasada e Kosovës në Lisbonë ka organizuar mbrëmje festive me të ftuar të shumtë të korit diplomatik si ambasadorë e diplomatë, personalitete të institucioneve të ndryshme qeveritare portugeze, bashkëkombës, komunitet biznesor, kulturor e medial.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Portugali Ylber Kryeziu ka thënë para të pranishmëve se festa është e përbashkët.

“Miqtë ndërkombëtarë ishin aty, për ne, në orën tonë më të errët, dhe për këtë, ne do të jemi përgjithmonë mirënjohës”, ka thënë Kryeziu.

Ndërkaq ka shtuar se pavarësia e Kosovës ka sjellë paqen dhe stabilitetin rajonal, duke iu përmbajtur standardeve të larta të mbrojtjes së pakicave dhe duke krijuar kapacitetin e shtetësisë për të qenë anëtar i plotë dhe i barabartë i bashkësisë ndërkombëtare.

Gjithashtu Kryeziu falënderoi Portugalinë për përkrahjen e parezervë në procesin e aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe në Bashkim Evropian. Jemi këtu, tha ai, edhe në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për gjithë kontributin e dhënë.

“Ne i gëzohemi faktit që Kosova dhe Portugalia kanë ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme dhe miqësore, dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve po formësohen konkretisht dhe efektivisht”, ka shtuar ai.

Kjo mbrëmje u madhështua me tinguj muzikorë nga vepra botërore dhe perla kosovare nën perfomancën e sopranos Marigona Qerkezi dhe pianistes Mrika Sefa.

Shpërndaje në

U Kopjua