Sipas disa raportimeve në medie sociale të premten, sisteme të mbrojtjes ajrore janë vendosur në disa vende në Moskë, përfshirë kulmin e ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes, raporton agjencia “Associated Press”.
Zyrtarët rusë nuk kanë komentuar për raportimet rreth armatimit që duket si sistemi kundërajror, “Pantsir-S1”, që është parë në kulmin e një ndërtese në pjesën qendrore të Moskës, rreth dy kilometra në lindje të Kremlinit dhe të Ministrisë së Mbrojtjes.
Më herët këtë javë, është raportuar se njësi të sistemit kundërajror S-400 janë parë afër parkut “Losiny Ostrov”, në pjesën veriore të Moskës, dhe në një institut bujqësor në kryeqytet.
Që nga dërgimi i ushtarëve rusë në Ukrainë para gati 11 muajve, Rusia është goditur disa herë nga sulmet me dronë thellë brenda territorit të saj. Autoritetet kanë thënë se tre persona janë vrarë nga një sulm me dron më 5 dhjetor në një fushë ajrore ushtarake rreth 600 kilometra larg kufirit me Ukrainën.
Përderisa Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera të NATO-s i kanë dhënë ndihmë ushtarake me vlerë të miliarda dollarëve Ukrainës, presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Uashingtoni nuk do t’i dërgojë Kievit armë që mund të përdoren për sulme brenda Rusisë.
Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e përmendi mundësinë që armë të tilla t’i jepen Ukrainës në të ardhmen, duke thënë se një veprim i tillë “do ta çonte konfliktin në një nivel tërësisht të ri”.