Live

Në Montebelluna të Italisë u festua Dita e Flamurit

16:55 / 29 Nëntor 2019

Nga Kosova Live

Në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike,shoqata “Zëri i atdheut” nga Montebelluna organizoi një aktivitet kulturor me rastin e Ditëve të kulturës shqiptare në Itali.
Në prani të kryetarit të komunës së Montebellunës, Marzio Favaro, kryetarit të Suharekës, Bali Muharremaj, përfaqësuesve të MDIS-it, përfaqësuesve të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Itali dhe shumë bashkatdhetarëve u dha një program i pasur kulturor.

Grupi i valltarëve të rinj, i cili vepron në kuadër të shoqatës “Zëri i atdheut”, u paraqit me valle nga trevat shqiptare.

Ndërkaq, fëmijët e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, të përgatitur nga mësuesja e palodhshme Raimonda Deda, recituan poezi kushtuar Ditës së Flamurit.

Këtë aktivitet kulturor e hapi Besnik Veselaj, sekretar i shoqatës, i cili foli për historikun e shoqatës “Zëri i atdheut”.
Me një fjalë përshëndetëse u paraqitën edhe kryetari i Montebellunës dhe ai i Suharekës.

Në fund të këtij aktiviteti, në emër të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, u nderuan me mirënjohje kryetari i shoqatës Isuf Zenelaj dhe mësuesja e shkollës shqipe, Raimonda Deda, e cila me shumë përkushtim po ua mëson abëcënë fëmijëve shqiptarë.

Shpërndaje në

U Kopjua