Live

Në njëvjetorin e fitores, Ramiz Lladrovci falënderon qytetarët: Bashkë jemi më të mirët! 

17:07 / 14 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Në njëvjetorin e fitores, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka falënderuar bashkëpunëtorët dhe qytetarët, për punën e shkëlqyer njëvjeçare, duke u renditur ndër komunat me performancën më të mirë në nivel nacional.

“Brenda këtij viti kalendarik, ne kemi realizuar dhe jemi në proces të realizimit të premtimeve tona. Më shumë se kaq, ne po i tejkalojmë premtimet. Ky tejkalim bëhet për shkak të përkushtimit të drejtorive dhe zyrtarëve të komunës dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me qytetarët”, ka shkruar Lladrovci në rrjetin social instagram.

Postimi:

“Qytetarë të nderuar,

Para një viti, na keni dhënë besimin për të qeverisur për katër vjet. Me këtë rast, dua t’ju falënderoj secilin prej jush që ka dalë në votime, na keni bërë fitues dhe e keni bërë procesin zgjedhor demokratik dhe të suksesshëm.

Brenda këtij viti kalendarik, ne kemi realizuar dhe jemi në proces të realizimit të premtimeve tona. Më shumë se kaq, ne po i tejkalojmë premtimet. Ky tejkalim bëhet për shkak të përkushtimit të drejtorive dhe zyrtarëve të komunës dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me qytetarët.

Bashkëpunimi ynë është dëshmuar në debatet në Asamblenë komunale, dëgjimet buxhetore, takimet me qytetarët dhe kërkesat nga lagjet dhe fshatrat e komunës tonë. Puna jonë njëvjeçare, është sukses yni i përbashkët.

I falënderoj të gjithë drejtorët për performancën individuale të drejtorive si dhe të gjithë qytetarët që treguan zell për bashkëpunim, propozime dhe kritika.

Nga institucionet qendrore, presim edhe vlerësimin si komuna me performancën më të mirë. Ne jemi komuna më e mirë sepse, kemi zyrtarët dhe qytetarët më të mirë.

Ju faleminderit. Bashkë jemi më të mirët!”

Shpërndaje në

U Kopjua