Live

Në Shkup përkujtohet 80-vjetori i Holokaustit

09:56 / 12 Mars 2023

Nga Kosova Live

Në Maqedoninë e Veriut, të dielën shënohet 80-vjetori i dëbimit të hebrenjve për në kampin e përqendrimit në Treblinka të Polonisë.

Ishin 7.144 pjesëtarë të këtij komuniteti që jetonin në Maqedoninë e atëhershme, të cilët në mars të vitit 1943 së bashku më dhjetëra mijëra hebrenj të tjerë që jetonin në territoret e pushtuara nga Bullgaria, ishin dërguar në kampin e shfarosjes dhe asnjë prej tyre nuk ishte kthyer i gjallë.

Në këtë kamp, në periudhën korrik 1942 deri në tetor të vitit 1943, sipas autoriteteve izraelite, por edhe hulumtuesve të ndryshëm, nga regjimi nazist gjerman dhe mbështetësit e tyre, janë vrarë mizorisht rreth 850.000 njerëz, prej të cilëve më shumë se 800.000 hebrenj.

Pamje nga brenda e Qendrës Memoriale të Holokaustit në Shkup.
Pamje nga brenda e Qendrës Memoriale të Holokaustit në Shkup.

Duke përkujtuar ngjarjet e asaj kohe, Goran Sadikaroi, drejtor ekzekutiv i Fondit të Holokaustit të Hebrenjve të Maqedonisë së Veriut, rrëfen ngjarjen për Radion Evropa e Lirë.

“E vërteta është një. Është fakt i pamohueshëm se Bullgaria në vitin 1941 e ka okupuar Maqedoninë pas çka edhe kanë filluar dëbimet dhe vrasjet masive të hebrenjve. Më 11 mars të vitit 1943 ushtria dhe policia bullgare me dhunë largoi hebrenjtë nga shtëpitë e veta dhe më 22, 25 dhe 29 mars ata u deportuan nga Maqedonia e atëhershme në kampin shfarosësh nazist në Treblinka. Nga Maqedonia u deportuan 7.144 dhe asnjë prej tyre nuk u kthye i gjallë”, tregon Sadikaroi.

Mbishkrime nga viktimat e Holokaustit nga qyteti i Shtipit në Maqedoninë e Veriut.
Mbishkrime nga viktimat e Holokaustit nga qyteti i Shtipit në Maqedoninë e Veriut.

“Këto janë fakte historike të pamohueshme që i kemi në Qendrën Memoriale këtu në Shkup, por dëshmitë ekzistojnë edhe në Qendrën Memoriale në Uashington të SHBA-së dhe në shumë muze tjera kushtuar Holokaustit. Hebrenjtë në këto hapësira kanë jetuar në dy mijë vjetët e fundit dhe shpresojmë se shteti do të bëjë shumë më tepër që e kaluara të mos harrohet. Besojmë në angazhimet e shtetit se vizitat në këtë Qendër do të bëhen të obligueshme për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Maqedonisë së Veriut, që të mësojnë më shumë për historinë e shtetit të tyre ku ka jetuar edhe komuniteti hebre”, thotë ai.

Në kampin Treblinka të Polonisë, në periudhën korrik 1942 - tetor 1943, sipas autoriteteve izraelite, nga regjimi nazist gjerman janë vrarë mizorisht rreth 850.000 njerëz, prej të cilëve më shumë se 800.000 hebrenj.
Në kampin Treblinka të Polonisë, në periudhën korrik 1942 – tetor 1943, sipas autoriteteve izraelite, nga regjimi nazist gjerman janë vrarë mizorisht rreth 850.000 njerëz, prej të cilëve më shumë se 800.000 hebrenj.

Në manifestimet për shënimin e 80-vjetorit të Holokaustit kanë marrë pjesë drejtuesit më të lartë të institucioneve, por edhe studiues, historianë e aktivistë të shoqërisë civile, që punojnë në promovimin e paqes, bashkëjetesës dhe tolerancës ndërmjet komuniteteve të ndryshme.

Tabela me mbishkrimin e Qendrës Memoriale të Holokaustit në Shkup.
Tabela me mbishkrimin e Qendrës Memoriale të Holokaustit në Shkup.

Skënder Asani, historian dhe drejtor i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, thotë për Radion Evropa e Lirë se “masakrat ndaj komunitetit hebre nga Gjermania Naziste asnjëherë nuk duhet harruar” dhe se 80- vjetori i Holokaustit të hebrenjve, sipas tij, po konsiston gjithashtu me ngjarje të rëndë, si lufta në Ukrainë dhe “vrasjet e dëbimet masive të popullatës ukrainase nga forcat pushtuese ruse”.

“Holokausti është shembulli më i mirë se historia duhet të mësohet dhe nga historia duhet të nxirret mësim, sepse njerëzimi ndonjëherë bie në grackat e elitave politike, shtetërore të cilat devijojnë proceset dhe që më pas shkaktojnë viktima në njerëz dhe të mira materiale. Shënimi i këtij përvjetori do të ishte një mesazh për botën se palët duhet të ulen dhe të bisedojnë. Këtu do të kujtoja disa fjalë të Nënë Terezës se më mirë është të bisedohet para luftës, sepse një ditë doemos do të bisedohet, por kur të bisedohet pas luftës veçse do të jetë tragjike”, thotë Asani.

"Masakrat ndaj komunitetit hebre nga Gjermania Naziste asnjëherë nuk duhet harruar", thotë Skënder Asani, historian.
“Masakrat ndaj komunitetit hebre nga Gjermania Naziste asnjëherë nuk duhet harruar”, thotë Skënder Asani, historian.

Sipas tij, në kudër të Institutit që drejton vepron edhe një departament për hulumtimin dhe dokumentimin e Holokaustit, për të nxjerrë në dritë kontributin e të gjithë atyre që e kanë ndihmuar këtë komunitet, në veçanti rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e kësaj popullate nga shfarosja e nazistëve.

“Ne po mundohemi me mish dhe me shpirt që të gjitha rrëfimet të dalin në sipërfaqe edhe pas tetë dekadave. Kjo na shkakton emocione, por njëkohësisht edhe na jep vullnet që të punojmë më shumë, jo vetëm për zbardhjen e kësaj çështjeje, por edhe të punojmë më shumë dhe t’i japim drejtim gjithë shoqërisë si dhe shteteve, të cilat janë të thirrura që të ketë një mirëkuptim ndëretnik dhe ndërfetar mes tyre”, thotë historiani Skënder Asani.

Qandra Memoriali e Holokaustit në Shkup.
Qandra Memoriali e Holokaustit në Shkup.

Ndërkohë, drejtuesit e komunitetit hebre kanë kërkuar nga institucionet që të kenë kujdes të mos tolerojnë shfaqjen e gjuhës së urrejtjes apo të veprimeve tjera që prekin në ndjenjat e tyre.

Reagimi i tyre pason karnavalin e 6 shkurtit në qytetin e Strumicës në juglindje të Maqedonisë së Veriut ku ishin shfaqur edhe njerëz me maska të Adolf Hitlerit.

“Mendojmë se është absolutisht e papranueshme që përmes ‘humorit dhe satirës’, persona të caktuar të tallen me 6 milionë viktimat hebraike të nazizmit. Një maskë e tillë nuk është në frymën e karnavalit dhe bie ndesh me karakterin multietnik dhe multikonfesional të Maqedonisë së Veriut. Një maskë e tillë ngre pyetjen nëse ka vend për ne hebrenjtë në këtë shtet”, thuhet në reagimin e Shoqatës së hebrenjve.

Kjo shoqatë kohë më parë ka reaguar edhe lidhur me hapjen e klubeve bullgare në disa qytete të Maqedonisë së Veriut, me emrat “Car Borisi i Tretë”, “Vanço Mijallov” dhe “Car Ferdinandi”, pasi bëhet fjalë për personalitete bullgare që i takojnë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht bashkëpunëtorë të Gjermanisë naziste dhe organizatorë të ndjekjes dhe vrasjes së pjesëtarëve të komunitetit hebre./REL

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...