Live

Neglizhenca e prokurorit Rasim Maloku, ia mundësoi Sokol Halilit 23 ditë mbajtjen e armëve pa leje

20:50 / 03 Dhjetor 2022

Nga admin

Drama në martesën e Hamide Magashit nga fshati Llugaxhi i Lipjanit me Sokol Halilin nga fshati Davidovc i Shtimes, kishte filluar qysh në ditët e tyre të para. E ndjera Hamidja dyshohet se që nga fillimi i bashkëjetesës me Sokolin, ishte përballur me kërcënime e dhunë fizike nga ish bashkëshorti i saj.

Për kanosjet serioze me armë të cilat ia bënte i shoqi, Hamidja kishte njoftuar edhe më parë organet e rendit, por rasti u neglizhua nga Prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku, raporton Gazeta Sinjali.

Ajo më datën 6 korrik të këtij viti kishte raportuar në Polici se bashkëshorti i saj e ka kanosur disa herë me armë zjarri, të cilat dyshohet se ky i fundit i mbante kundërligjshëm në shtëpinë e tij.

Kjo u bë shkas që Policia Rajonale në Ferizaj të parashtrojë kërkesë për t’u pajisur me urdhër për bastisje në shtëpinë e Sokolit, një ditë pas denoncimit të rastit, në mënyrë që të zbardhen të gjitha rrethanat e rastit.

Por rasti u neglizhua nga vet prokurori i rastit, Rasim Maloku, i cili nuk bëri kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj deri më 27 korrik, pra 20 ditë pasi Policia e kërkoi një gjë të tillë.

Në dokumentin që ka siguruar Gazeta Sinjali shihet se Gjykata në Ferizaj kishte lëshuar urdhëresë për bastisjen e shtëpisë së Sokol Halilit më 28 korrik.

Sinjali mëson se pas lëshimit të urdhrit, Policia e Kosovës ka kryer bastisje në shtëpinë e tashmë të ndjerit, ku kanë gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie dhe një pistoletë me gaz, të cilat Prokurori Maloku ia mundësoi t’i mbante pa leje për më shumë se 3 javë.

Asnjëherë nuk ndodhë që të kërkohet bastisja me kaq vonesë, pasi në kushte normale do duhej të bëhej urgjentisht, madje edhe vetëm me urdhër verbal të gjyqtarit të procedurës paraprake.

Ndryshe, lidhur me trajtimit të rastit të Hamide Magashit, Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar hetimet mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit Sokol Halili për “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”.

Prandaj, në kuadër të hetimeve, Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Naser Sinani, rreshteri Hasim Lubovci dhe dy hetuesit policorë Fejsal Ahmeti dhe Frashër Rexheli janë suspenduar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Kujtojmë se akti çnjerëzor i Sokol Halilit ndaj ish bashkëshortes së tij e cila ishte shtatzënë në javën e 41-të, ka tronditur të gjithë vendin. Halili, po ashtu tashmë i ndjerë, të mërkurën ka vrarë Hamiden me armë zjarri në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Menjëherë pas kryerjes së veprës, 31-vjeçari u arratis nga vendi i ngjarjes për t’u gjetur tek pas dy ditësh në shtëpinë e tij në Shtime. Pas negocimit me Policinë e Kosovës, ai ka refuzuar që të dorëzohet, duke i dhënë fund jetës së tij me armë zjarri.

Pas vetëvrasjes së tij, është publikuar edhe një letër që thuhet ta ketë shkruar pak para kryerjes së aktit, ku pretendon se gjithë problemet me Hamiden i kishte për shkak se kjo e fundit i kishte kërkuar që në këmbim të 25 mijë eurove, t’ia japë fëmijën dhe ta rris në shtëpinë e babait të saj.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...