Live

Nëntë ankesa te Avokati i Popullit për Ligjin për Paga

12:55 / 01 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Nëntë ankesa kanë arritur deri tani për Ligjin për Paga në Sektorin Publik, në adresë të Institucionit të Avokatit të Popullit. Në një përgjigje për Radio Kosovën nga ky institucion kanë bërë me dije se vetëm pas shqyrtimit të ligjit dhe ankesave, atëherë ky institucion do të vendosë nëse do ta dërgojë, ose jo këtë ligj në Gjykatë Kushtetuese.

Miratimi i Ligjit të Pagave në Sektorin Publik ka nxitur reagime nga institucione të shumta në vend.

Institucioni i Avokatit të Popullit tashmë ka pranuar nëntë (9) ankesa kundër këtij ligji.

Në një përgjigje më shkrim thënë për Radio Kosovën, nga ky Institucion kanë bërë me dije se ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, të cilat janë në shqyrtim nga Zyra e Avokatit të Popullit.

“Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarët komunalë e të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, nga Organizata”Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, dhe mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë,” thuhet në përgjigjen e tyre.

Ligji për Paga në Sektorin Publik do të hyjë në fuqi më 5 shkurt. Nga ajo ditë, Avokati i Popullit ka gjashtë muaj afat ligjor për ta trajtuar këtë ligj.

“Institucioni i Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, Avokati i Popullit do të dalë me një qëndrim nëse do të procedojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese.”

Ligji për Pagat në Sektorin Publik ishte miratuar në dhjetor të vitit të kaluar me 63 vota për. Deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e Parlamentit. Kritikat e tyre lidheshin kryesisht atëherë me mos-caktimin e vlerës së koeficientit.

Në vitin 2020 Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm ligjin e atëhershëm për pagat në sektorin publik. Sipas vendimit të asaj kohe, ky ligj nuk ishte në përputhje me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...