Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga 1 shtatori i këtij viti të gjitha produktet e duhanit që importohen apo prodhohen për tregun e Republikës së Kosovës duhet të vendosin fotografi me ngjyra apo ilustrime dhe duhet të përmbajnë vërejtjet shëndetësore të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se këto vërejtje do të shfaqen në paketimet e të gjitha produkteve të duhanit për tymosje, produkteve të duhanit që nuk tymosën dhe produktet e reja të duhanit.
Njoftimi:
Në përputhje me angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të ulur ndikimin e përdorimit të duhanit, dhe pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të Udhëzimit
Administrativ Nr. 02/2024, i cili ndryshon dhe plotëson Udhëzimin Administrativ (Shëndetësi) Nr. 05/2023 për Vërejtjet e Kombinuara, ju njoftojmë se:
Nga 1 Shtatori 2024, të gjitha produktet e duhanit që importohen apo prodhohen për tregun e Republikës së Kosovës duhet të vendosin fotografi me ngjyra apo ilustrime të tjera dhe duhet të përmbajnë vërejtjet shëndetësore të përcaktuara në këtë Udhëzim Administrativ.
Këto vërejtje do të shfaqen në paketimet e të gjitha produkteve të duhanit për tymosje, produkteve të duhanit që nuk tymosen dhe produktet e reja të duhanit dhe kanë për qëllim:
– ngritjen e njohurive të duhanpirësve mbi efektet shëndetësore që shkakton përdorimi i produkteve të duhanit;
– sigurimin e efektit të vazhdueshëm të vërejtjeve shëndetësore në paketimet e produkteve të duhanit;
– inkurajimin e ndërprerjes së pirjes së duhanit dhe dekurajimin e nisjen ose rinisjen e pirjes së duhanit.
Kjo masë është e rëndësishme për përmirësimin e shëndetit publik dhe për mbështetje të përpjekjeve për kontrollin e duhanit në nivel kombëtar.