Komisioni parlamentar për Shëndetësi është duke qëndruar në Shqipëri për një vizitë pune. Anëtarët e këtij komisioni janë pritur nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Kryetarja Nikolla nënvizoi se bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës është mjaft intensiv.
“Komisionet parlamentare takohen në vijimësi për të shkëmbyer mendime, përvoja e praktika të suksesshme për hartimin e legjislacionit dhe përafrimin me legjislacionin e BE-së, kontrollin parlamentar, transparencën dhe bashkëpunimin me median e qytetarët. Po rritet gjithashtu bashkëpunimi midis delegacioneve parlamentare në organizatat rajonale e ndërkombëtare, për të siguruar mbështetje për përballimin bashkërisht të sfidave ndërkombëtare”, citohet ajo.
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku dhe anëtarët e delegacionit e njohën kryetaren Nikolla me disa prej problematikave të Komisionit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe bashkëpunimin e shkëmbimin e përvojave me Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në Kuvendin e Shqipërisë.
Në këtë takim mori pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, dhe zëvendëskryetarja e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në Kuvendin e Shqipërisë, Klodiana Spahiu./Kp