Live

Nisen në Hagë letrat dhe vizatimet emocionuese të nxënësve të Prishtinës për ish-krerët e UÇK-së

12:25 / 30 Mars 2023

Nga Kosova Live

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati  ka treguar se fëmijët e disa shkollave të kryeqytetit kanë dërguar letrat dhe vizatimet e tyre për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ajo ka thënë se pas ligjeratave të ish- ushtarëve të UÇK-së në disa prej shkollave të Prishtinës, fëmijët bënë punime të ndryshme që i kanë shpërndarë në OVL të UÇK-së.

“Disa prej tyre po i dërgojmë tek liderët e UÇK-së që po mbahen në Hagë”, ka thënë Musmurati.

Ajo përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka ndarë disa nga letrat më emocionuese të fëmijëve.

“Mrekullive të botës duhet ti shtohet edhe lufta çlirimtare e UÇK-së” shkruan Leka nga shkolla Naim Frashëri.

“Unë ende kam besim te njerëzimi sepse ende kam besim tek ju. Na keni treguar herë pas here se ne mund t’ju besojmë. Andaj, ju jeni heronjtë tanë!” thotë Erza, e cila ka lindur në vitin që është shpallë Pavarësia.

“Ndoshta sot je me thinja, por ne do të kujtojmë gjithmonë për zgjuarsinë, trimërinë dhe sakrificën që e ke bërë për fëmijët e Kosovës” thotë letra tjetër.

E para e arsimit në kryeqytet shpreson që këto letra të përçojnë mirënjohjen e thellë për UÇK-në.

“Shpresojmë që me këto letra do të mund të përçojmë mirënjohjen e thellë që e kemi për UÇK-në dhe vlerat e saj”, ka shrkuar në fund Musmurati.

Postimi i plotë:

Shpërndaje në

U Kopjua