Një sulm me dron nga Ukraina vrau një grua 85-vjeçare dhe plagosi nëntë persona në qytetin rus të Kurskut, pranë kufirit me Ukrainën, thanë autoritetet rajonale ruse më 15 prill.
“Kursku është bërë objekt i një sulmi masiv nga armiku gjatë natës”, thuhet në një postim të administratës rajonale të Kurskut në Telegram.
Disa apartamente në një ndërtesë shumëkatëshe morën flakë si pasojë e sulmit me dronë, tha kryetari në detyrë, Sergei Kotlyarov, në Telegram. Ai shtoi se banorët janë evakuuar në një shkollë të afërt.
Dronët goditën gjithashtu një garazh të ambulancave, duke lënë të dëmtuara 11 automjete, sipas administratës së rajonit.
Më shumë se 20 shpërthime goditën qytetin, sipas kanaleve në Telegram, Baza dhe SHOT, të cilat shpesh publikojnë informacione nga burime brenda shërbimeve të sigurisë dhe forcave të rendit.
Këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur, ndërsa Ukraina nuk e ka komentuar akuzën e Rusisë deri më tani. Të dyja palët mohojnë se kanë në shënjestër civilët.
Trupat ukrainase kryen një inkursion në rajonin e Kurskut në gusht, por forcat ruse kanë pasur sukses në muajt e fundit në shtyrjen e trupave ukrainase përtej kufirit.
Sulmi i 15 prillit pason një sulm me raketa nga Rusia më 13 prill që la të paktën 34 persona të vdekur në qytetin ukrainas të Sumit, kryeqyteti i rajonit të Sumit, i cili kufizohet me rajonin Kursk të Rusisë.
Shërbimi shtetëror i emergjencave i Ukrainës tha se dy fëmijë ishin mes të vrarëve në sulm, i cili ndodhi teksa ukrainasit festonin një ditë të shenjtë. Të paktën 117 persona të tjerë – përfshirë 15 fëmijë – u plagosën.
Zyrtarë nga e gjithë bota dënuan Rusinë dhe presidentin Vladimir Putin më 14 prill.
Zyrtarët evropianë e akuzuan Rusinë për kryerjen e një krimi lufte, ndërsa zyrtarë amerikanë, nga presidenti Donald Trump deri te disa ligjvënës të Partisë Republikane dhe asaj Demokrate, u shprehën të tmerruar për vdekjen dhe shkatërrimin e shkaktuar në sulmin e dytë madhor që vrau civilë ukrainas brenda dhjetë ditëve.