Live

Një vit nga vendosja e taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake

09:48 / 21 Nëntor 2019

Nga Kosova Live

Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendim që produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja të taksohen 100%.

Propozimi erdhi nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i cili në të njëjtën mbledhje kërkoi edhe largimin e të gjitha produkteve në të cilat shkruan “Kosova e Metohija”.

Ky vendim i qeverisë kosovare erdhi vetëm një ditë pasi vendi dështoi të anëtarësohej në Interpool për shkak të fushatës së egër serbe kundër Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj e mbështeti nismën duke thënë se ajo do të mbetet deri në reflektimin e Beogradit dhe njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia.

Një vit më pas, Kosova nuk është njohur nga Serbia por shumëçka ka ndryshuar pas ngjarjeve që rrodhën më pas.

Të parët që reaguan ishin serbët të cilët filluan me protesta e që u pasua me dorëheqjet e kryetarëve të komunave serbe, të cilët vetëm disa muaj më vonë në zgjedhjet e jashtëzakonshme u rizgjodhën.

Liderët botërorë bënë thirrje që taksa të hiqet, ose në rastin më të mirë, siç propozonte SHBA, të pezullohej.

Kjo çështje filloi të lëkundte edhe skenën politike vendore, me presidentin Hashim Thaçi që fillimisht deklaroi se taksa nuk duhej të mbahej, por që më vonë ndryshoi qëndrim për shkak të fushatës së ashpër të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës dhe bllokimit të dialogut duke kushtëzuar atë më heqjen e taksës.

Më pas, komunat veriore serbe tentuan të inskenojnë një krizë humanitare duke mbyllur dyqanet e duke deklaruar se nuk kishte produktet bazike, por siç kishte zbuluar edhe inteligjenca e gjitha rezultoi të ishte një farsë.

Kryetari i Kuvendit dhe njëherit i PDK-së, Kadri Veseli, në verën e këtij viti nga SHBA deklaroi se taksa duhej të pezullohej pasi rrezikonte miqësinë me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.

E gjitha kulmoi me dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj me arsyetimin se ishte ftuar nga Gjykata Speciale, ndërsa më vonë do të pohonte se ka pasur presione për heqjen e taksës.

Tashmë Kosova gjendet në një realitet të ri politik me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, si kandidatin e mundshëm për të marrë postin e kryeministrit.

I njëjti ka premtuar se me Serbinë do të ketë vetëm reciprocitet politik e ekonomik.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...