Live

Një vit nga vënia e taksës ndaj Serbisë, bizneset përfituan – u rrit edhe punësimi

10:00 / 21 Nëntor 2019

Nga Kosova Live

Sot është bërë një vit që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina.

Bizneset kosovare thonë se taksa e vendosur ka pasur efekt pozitiv në bizneset e tyre, që ndikoi në rritje të punësimit.

Pronari i kompanisë, “Frutex”, Shaqir Palushi, thotë për Ekonomia Online, se ky vit ka qenë prej viteve më të mira, pasi ka pasur një rritje prej 30 për qind, e që ka pasur ndikim edhe në rritjen e të punësuarve rreth 20 për qind.

“Konkretisht në biznesin tonë ka pasur efekt pozitiv, sepse ka qenë një prej viteve më të mira përkatësisht kemi pas një rritje prej 30% e cila kjo rritje ka reflektuar edhe në rritjen e të punësuarve por edhe në të ardhurat e tyre dhe numri i të punësuarve është rritur rreth 20% po ashtu pagat e punëtorëve janë ngritur për 20%”, thotë Palushi.

Sipas Palushit, edhe përkundër asaj që ka pasur zëra kundër taksës, për prodhuesit kosovarë ka pasur ndikim pozitiv, duke bërë që të fuqizohet edhe më tepër prodhimi.

“Edhe përkundër që na ka rastësisë të dëgjojmë zëra kundër taksës, në efektet ekonomike në radhë të parë për prodhuesit Kosovar ka pas efekt shumë pozitiv sepse për herë të parë kemi pasur mundësi që me produktet tona të jemi shumë më fuqishëm prezent dhe kjo ka bërë që të fuqizohet prodhimi dhe duke rritur kapacitetet dhe të paktën që kanë kontaktet me shumicën e prodhuesve dhe mendoj që te shumica ka pasur ndikim pozitiv. Diku e ka rritur koston e prodhimit dhe në kompaninë tonë ka pas një rritje rreth 2-3% të rritjes së kostos por ne këtë e kemi mbulu me rritjen e shitjeve dhe në një farë mënyrë ka qenë 10 fishi i asaj që kemi humbur nga ngritja e kostos së prodhimit”, është shprehur ai.

Edhe pronari i kompanisë së përpunimit të mishit “Meka”, Burim Piraj thotë se taksa ka pasur ndikim pozitiv, sidomos në produktin ushqimor “pashteta”.

Ai thotë se gjatë kësaj periudhe u hapen edhe vende të reja të punës.

“Ai produkt është pashtetë pule dhe meqenëse pashteta pulës është eksportuar nga Bosnja në Kosovë ne kemi pasur një ekspansion të shitjes së pashtetës dhe kemi pasur punësim të disa punëtorëve të rinj, hapjen e vendeve të punës të reja, të cilat kanë vazhduar të jenë por edhe shitja po vazhdon të rritet, kështu që mendojmë se do të punësojmë edhe më tej punëtorë të rinj në kompaninë tonë për të arritur prodhimin e nevojshëm për të plotësuar kërkesat e tregut. Prej aplikimit të taksës kemi pasur të punësuar mbi 10 punëtorë, mirëpo drejtpërdrejt ndërlidhur me taksën i kemi pasur të punësuar 6 punëtorë”, thotë Piraj.

Sipas tij, vendosja e taksës ka prodhuar edhe një patriotizëm ekonomik, i cili ka qenë më se i nevojshëm që nga viti 1999, dhe kjo ndoshta ka detyruar konsumatorët të blejnë më shumë produkte vendore se sa produkte nga importi.

Piraj thekson se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik, nëse nuk konsumojmë produkte vendore.

Kohëve të fundit është diskutuar shumë nëse taksa do të zëvendësohet me reciprocitet.

Madje edhe kryeministri në ardhje, Albin Kurti kishte dhënë një deklaratë të tillë.

Për këtë, Palushi thotë se që edhe nëse hiqet taksa, një pjesë e madhe e produkteve serbe nuk do të kenë efektin pozitiv të cilën e kanë pasur para një viti.

“Edhe nëse hiqet kjo taksë mendoj që pozicioni i produkteve vendore është shumë më i fuqishëm dhe jam i bindur që një pjesë e madhe e produkteve serbe nuk do ta kenë pozitën të cilën e kanë pas para një viti. Shumë më e rëndësishme është që Kosova të mos dëmtohet politikisht dhe duket që ka ardh momenti për shkak të presionit ndërkombëtar të hiqet kjo taksë dhe të zëvendësohet me reciprocitet dhe sigurisht që efekti i taksës nuk do të zëvendësohet me reciprocitet por ashtu siç thashë me qenë se shumica e prodhuesve janë konsoliduar dhe janë në pozicion shumë më të mirë mendoj që edhe me heqjen e kësaj takse nuk do të kthehet Serbia në Kosovë në aspektin ekonomik”, është shprehur Palushi.

Mirëpo, Piraj thotë se zëvendësimi i taksës me reciprocitet do të prodhojë efektin e njëjtë, pasi që produktet kosovare nuk mund të eksportohen në Serbi me ato masat jo tarifore që ka ndërmarrë Serbia ndaj produkteve kosovare. 

“Nëse Qeveria në ardhje i ndërmerr të njëjtat kushte i bënë të njëjtat kushte dhe aplikon reciprocitet ata nuk do të mund të eksportojnë në Kosovë, deri atëherë kur ata të fillojnë të eliminojnë të gjitha ato barriera jo tarifore që kanë aplikuar vazhdimisht për Kosovën. Nuk jam për krijimin e barrierave ekonomike,  mirëpo taksa e Kosovës ka qenë një hap politik dhe shumë i nevojshme kundër fushatës serbe të cilën e ka pasur Serbia në të gjitha sferat kundër Kosovës”,  thotë ai.


Gjatë vendosjes së taksës, në disa produkte vendëse është vërejtur një ngritje e çmimeve.

Për këtë Piraj thotë se kjo është bërë për ekzistencë të kompanisë. Ai tregon se nga 1 janari i këtij viti, edhe në kompaninë e tij do të ketë ngritje të çmimeve pothuajse në të gjitha produktet deri në 10 për qind.

“Ndoshta prej  1 janarit  do të kemi ngritje te çmimeve për shkak se e kemi shumë vështirë t’i përballojmë atyre kërkesave të zingjireve të marketeve që na parashtrojnë neve të gjithë atyre pagesave për ballinat , ne nuk mund t’ju përballojmë me çmimet ekzistuese. Ne e dimë se do të ketë një ndikim jo të mire te  konsumatori, mirëpo për ekzistencën e kompanisë duhet të veprojmë në atë mënyrë, mendoj se do të jetë në të gjitha produktet do të ketë ngritje të çmimeve deri dhjetë për qind do të ketë ngritje të çmimeve për të arritur të përballojmë kërkesën e partnerëve tanë me të cilët bashkëpunojmë në Kosovë”,  thotë Piraj.

Më tej, Piraj ka përmendur edhe disa nga problemet me të cilat përballen si kompani e që është ndërprerja e energjisë elektrike.

“Mendoj se qeveria që po vjen duhet të ketë si pikësynim rregullimin e furnizimit me energji elektrike ashtu që kjo njollë e zezë që është prodhuar për 20 vjet të eliminohet dhe Kosova të bëhet një vend i qëndrueshëm ku shumë kompani korporata botërore ta shohin si vend ku mund të investojnë dhe mund ta zhvillojnë biznesin e vet”, përfundoi Piraj.

Taksa ndaj Serbisë ka prodhuar probleme në rrafshin diplomatik dhe si pasojë tash e një vit është ndërprerë edhe dialogu me Serbinë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...