Bashkimi Evropian ka dënuar vendimin e presidentit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik për dhënien e çmimit “Urdhri i Republikës Sërpska” presidentit rus, Vladimir Putin.
Zëdhënësi për Politikë të Jashtme i BE-së, Peter Stano, ka thënë se BE-ja dhe anëtarët e saj do të ndërmarrin veprimet e duhura në lidhje me këtë çështje.
Stano tha se BE-ja e dënon atë dhe theksoi se “nëse Dodiku vendos t’i japë Putinit dekoratën më të lartë të Republikës Sërpska dhe vazhdon të bëjë lëvizje të papranueshme, Blloku do ta ketë parasysh këtë dhe do të vendosë masa ndaj tij”.
“Bashkimi Evropian dënon vendimin e autoriteteve të RS-së për t’i dhënë çmim Putinit sepse ai është drejtpërdrejt përgjegjës për agresionin e paligjshëm kundër Ukrainës, vuajtjet e qytetarëve ukrainas dhe shkatërrimin e infrastrukturës”, shtoi Stano, raporton media serbe “N1”.
Ai shtoi se përafrimi me Putinin në këto rrethana do të thotë izolim ndërkombëtar i Republikës Sërpska dhe udhëheqjes së saj, duke theksuar se “dhënia e çmimit të Putinit është për keqardhje dhe e gabuar”.