Live

Njofton Mimoza Kusari: Zgjidhja për targat është “çështje orësh”

12:53 / 18 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Shefja e Grupit Parlametar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se gjetja e një zgjidhje për targat është “çështje orësh”.

Kusari ka thënë se me aq sa ka informacione ajo, është duke u punuar në mënyrë intensive në gjetjen e një zgjidhje.

“Sa i përket marrëveshjes për targa, unë jam e informuar se janë duke e marrë shumë seriozisht dhe ka pasë shkëmbime të vazhdueshme nga zëvendëskryeministrin Bislimi në raport me Bashkimin Evropian me hapat e radhës. Po besoj që është çështje e orëve, mos të them çështje ditësh, se shumë pak ditë kanë mbetur që të dilet me një zgjidhje”, tha Kusari-Lila sot.

Pak më parë edhe kryeministri Kurti ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar negociata për çështjen e targave. Kurti tha se është optimist, por se Beogradi po vazhdon të tregohet destruktiv.

“Zëvendëskryeministri im rregullisht dhe në mënyrë të intensifikuar është në komunikime të rregullta për ta zgjidhur këtë çështje. Janë 9 mijë vetura me targa ilegale serbe, kjo është më pak se 10 përqind e veturave që serbët në Kosovë kanë.

Është një pakicë ekstreme brenda shumicës serbe që po i refuzojnë këto targa. Kemi pas një dallim në qasje, duke filluar vetëm me qortime për tri javë dhe më pas gjobat.

Më pas vetëm gjobat. Megjithatë, Beogradi urdhëroi serbët t’i braktisin institucionet e Kosovës, unë ju apeloj të mos japin dorëheqje sepse institucionet demokratike janë në shërbim të të gjithëve. Jemi duke bërë çmos për ta mbajtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë dhe sigurinë e paqen në anën tjetër. Unë jam optimist por qasja e Beogradit ka qenë destruktive. Në ditët e ardhshme do të shohim se sa të suksesshëm do të jemi në këto negociata të reja. Ne kemi nevojë për marrëveshje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë me njohjen përfundimtare në qendër.”, ka thënë Kurti.

Shpërndaje në

U Kopjua