Serbia vazhdimisht ka tentuar të propagandojë për kundër njohjeve të reja të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimit të vendit në organizatat ndërkombëtare.
E pas shumë përpjekjeve, së fundi ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq ka pretenduar se diplomacia serbe në vitet e fundit ka sjellë “19 tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës”.
Përveç tij, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq para dy dite tha se mori garanci nga presidenti i Interpol-it, Ahmed Nasser al Raisi se aplikimi potencial i Kosovës nuk do të ishte në rend dite gjatë mandatit të tij.
Mirëpo, Interpoli për Tëvë1 e demantoi të njëjtën.
E nga njohësit e diplomacisë po konsiderohet si agresion i vazhdueshëm diplomatik nga ana e Serbisë.
Muhamet Hamiti, anëtar i kryesisë së LDK-së thotë se fushata e fqinjit verior kundër pavarësisë së Kosovës nuk duhet t’i hutojë institucionet, por ato duhet të punojnë më shumë drejt njohjeve të reja.
Sipas profesorit universitar, Arben Fetoshi kjo bëhet për të krijuar një opinion ndërkombëtar dhe për të ndikuar për refuzim të Republikës së Kosovës si realitet politik.
Në lidhje me këtë, ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke thënë se nuk ka asnjë njoftim në këtë ministri për tërheqje të njohjeve.