Trendi i rritjes së çmimeve ka vazhduar edhe në muajin e dytë të 2023-ës. Shumë produkte esenciale sipas pronarëve të bizneseve kanë shënuar rritje për 1 euro më shumë. Derisa, qytetarët janë ankuar për këtë situatë, duke thënë se çdo ditë e më shumë për ta, jeta po bëhet e vështirë.
Nuk ka të ndalur rritja e çmimeve në Kosovë.
Për çdo ditë, qytetarët ankohen se shumë produkte që ditë më parë i kishin blerë me çmime më të lira, tashmë ato janë shtrenjtuar sërish.
Për këtë lëvizje të shpeshtë të çmimeve, nuk ka asnjë reagim nga institucionet e Kosovës, derisa dyqanet vazhdojnë t’i rrisin ato.
Kështu çmimet e pothuajse secilit produkt lëvizin për disa centë nga dita në ditë.
Madje produktet e sidomos ato elementare, dallojnë edhe nga vendi në vend.
Me këtë praktikë, qytetarët ndihen të lodhur, duke thënë se jeta për ta po bëhet çdo ditë e më e papërballueshme për shkak të çmimeve.
Ndonëse pronarët e bizneseve nuk kanë folur, prapa kamerës kanë treguar për rritjen e çmimeve të disa produkteve,siç janë vezët, jogurti, patatet, perimet, mishit e të tjera.
Kurse, çmimi i sheqerit aktualisht ka shkuar në 5 euro e 40 centë, jogurti në 1 euro e 45 centë, ndërsa çmimi i kafes ka arritur në 5 euro e 40 centë.
Njëjtë sikurse këto, edhe çaji i zi është shtrenjtuar.
Kritika për krizën ekonomike kanë hedhur njohës të ekonomisë.
Profesori në Republikën Çeke, Florin Aliu, ka thënë se kjo krizë nuk është adresuar siç duhet nga Qeveria e Kosovës.
Aliu ka thënë se manipulimet e çmimeve të mundshme nga tregtarët, duhet të identifikohen nga Autoriteti i Konkurrencës.
Muajve të fundit, Kosova është përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve të shumë produkteve bazë.
Me gjithë ankesat e qytetarëve dhe dyshimet për manipulimin e çmimeve, institucionet e vendit nuk kanë bërë asgjë për të ndryshuar situatën.