Live

“Nuk keni bërë gjë me 24 shtator, i keni vra*ë tre veta me snajper nga distanca” – Ekskluzive: Fjalitë brutale që Albin Kurti ua tha Specialëve në takimin e 15 nëntorit

10:24 / 04 Dhjetor 2023

Nga Kosova Live

Pjesëtarët e Njësisë Speciale Interveneuse kanë mbetur të shtangur nga Albin Kurti, kur gjatë takimit të përbashkët që u zhvillua të mërkurën e 15 nëntorit, kryeministri i Kosovës iu tha se ajo çfarë kanë bërë me 24 shtator kur u përballën me terroristët serbë nuk përbën ndonjë sukses të madh nga ana e tyre, meqë thjesht “i keni vrarë tre veta nga distanca me snajper”.

Albanian Post ekskluzivisht ka kuptuar çfarë është biseduar në mes të pjesëtarëve të NjSI-së, grupit elitë të policisë, të njohur edhe si FIT dhe Albin Kurtit, i cili u ka thënë se nuk mund t’ua plotësojë kërkesat e prezantuara, sepse “nuk mund të dorëzohem para jush”.

Përfaqësuesit e NjSI-së, pas muajsh pritje dhe premtime nga Qeveria e Kosovës, kur panë kategorizimin e shtesave për njësitet speciale të policisë, kuptuan se kërkesat e tyre për kategorizim si njësi të veçanta dhe përfshirje në listën e ekspertëve nuk janë marrë parasysh.

Gjithashtu, nuk është përcaktuar rrezikshmëria në 50 për qind të pagës bazë dhe nuk u janë ofruar shtesa për kushte specifike të punës.

Kjo ishte edhe arsyeja që vendosën të dalin më protestë.

Kur protesta nuk dha rezultat, u mundësua një takim mes tyre e kryeministrit Kurti.

Grupi që përfaqësonte NjSI-në shkuan për të prezantuar kërkesat e njëjta, por ata u shtangën para Kurtit në takimin që i pranishëm ishte edhe ministri i Financave Hekuran Murati, kur dëgjuan çfarë kishte për të thënë për ta shefi i Qeverisë.

Ndryshe nga sa e paraqiste në publik si një betejë të jashtëzakonshme të NjSI-së, Kurti u është drejtuar pjesëtarëve të FIT-it duke u thënë se “nuk është se keni bërë gjë (me 24 shtator), i keni vrarë tre veta me snajper nga distanca”.

Përveç se ofendues, përfaqësuesit e NjSI-së u befasuan se si Kurti nuk e ka lexuar as raportin e institucioneve, përndryshe do ta dinte se jo të gjithë terroristët u vranë me snajper dhe jo të gjithë u vranë nga largësia.

Nga burimet brenda takimit, Albanian Post kupton se Kurti ishte treguar indiferentë ndaj policëve edhe kur ata i deklaruan se nuk po protestojnë për shkaqe politike, por për dinjitet dhe kushte më të mira dhe se “për Kosovën luftojmë, siç kemi bërë edhe në të kaluarën, edhe veç me bukë e djathë”.

Luftë është kur vdesin shumë dhe mbesin pak”, ua ka kthyer Kurti, duke thënë se me 24 shtator në ballafaqim me terroristët serbë të udhëhequr nga Milan Radojiçiç, nuk u bë luftë meqë ka vdekur vetëm një polic.

Me vdek një polic është normale që fëmijët tanë të jetojnë të sigurt”, kishte shtuar Kurti duke vazhduar t’i befasojë të pranishmit.

Në takimin që ka zgjatur tri orë, NjSI ia kishte shpjeguar kryeministrit kushtet e vështira në të cilat punojnë dhe i kishin prezantuar atij dhembjen që kanë ndjerë kur janë detyruar të dalin në protestë.

Prandaj, i kishin kërkuar një kompromis dhe një rrugëdalje nga situata, duke i ofruar edhe vetë opsione se si e mendojnë ata zgjidhjen.

Përkundër një dëshire të ministrit Murati për të gjetur një kompromis, siç i kanë treguar Albanian Post-it tri burime brenda takimit, Kurti refuzonte çdo mundësi.

Çfarë do thonë të tjerët nëse dorëzohem unë para juve?”, u kishte shtruar pyetje policëve që s’po i lëshonte habia nga ajo që po dëgjonin.

S’jam dorëzu para BE-së e as para Amerikës, nuk mund të dorëzohem as para jush”, kishte vazhduar.

Kryeministri ua kishte pranuar policëve se ata mund të kenë të drejtë në kërkesat e shtruara, por aktualisht nuk është punë që gjen zgjidhje, meqë “nuk jam në gjendje të humbas”.

Në një moment gjatë takimit, të cilin – me të gjithë ata që ka biseduar Albanian Post – e kanë konsideruar si me tension, por mbi të gjitha “shumë të çuditshëm”, Kurti kishte akuzuar pjesëtarët e policisë për mënyrën se si kanë protestuar te Qeveria e Kosovës.

Ne tash e kemi një çarje”, u ka thënë.

Atë ditë, ditën e protestës, “keni ardhur para qeverisë dhe ma keni kthyer shpinën”.

Përfaqësuesit e NjSI-së, të vendosur ta mbajnë diskutimin vetëm në kërkesat e tyre, kanë provuar gjatë gjithë takimit t’ia shpjegojnë kryeministrit se ata nuk kanë anë politike dhe se po kërkojnë nga ai çfarë kanë kërkuar nga secila qeveri e kaluar.

Duhet ta kuptoni që jemi të domosdoshëm për shtetin. Ne thjesht po kërkojmë plotësimin e nevojave. Jemi gënjyer edhe në të kaluarën dhe nuk kemi asnjë qëllim politik. Me ju jemi njëjtë si me të gjitha qeveritë paraprake, sepse ne jemi të shtetit dhe në shërbim të shtetit, pavarësisht kush është kryeministër”, i kanë thënë specialët Kurtit.

Por, për shkak edhe të grupit që e përfaqësojnë, ata i kanë pohuar atij se nëse nuk iu plotësohen kërkesat nuk e kanë ndërmend të heqin dorë, sepse “nuk lejojmë injorim, nënçmim e përulje të dinjitetit”.

Ata i kanë sqaruar Kurtit se zgjidhje ka, nëse ai do.

Është mundësia të futen në kategorinë e shtesave si “ekspertë”, “staf deficitar”, apo mund të paguhen në formën e “shtesave për punë të veçantë”.

Kryeministri s’ka dashur të dëgjojë. U ka thënë se mjafton që shteti po investon në elemente të tjera rrethanore për të ofruar siguri.

Policët ishin habitur me Kurtin edhe në një moment tjetër kur ata i kishin shpjeguar se për shkak të pagave, kushteve dhe situatës së fundit, ka rënë edhe prestigji i policisë, prandaj në secilin konkurs ka më pak aplikantë për policë.

Prej një kohe kur kanë konkurruar për policë 29 mijë aplikues tash aplikojnë 3-4 mijë veta”, ia kanë treguar statistikat Kurti, por, për befasinë e tyre, ai u kishte thënë se “kjo është shenjë e mirë”.

Kjo dëshmon se njerëzit po kanë punë të tjera dhe s’kanë nevojë të aplikojnë për policë”, ishte përgjigja e Kurtit në takim.

Bashkëbisedimi i gjatë ka përfunduar pa asnjë rezultat.

Derisa më parë shtesat për NjSI-në ishin 215 euro, me kategorizimet e reja ata marrin veç 150 euro dhe janë në grupe me njësi të tjera si ajo për mbrojtje të afërt për shembull.

Nga takimi përfaqësuesit u larguan me ide të qarta se duhet ta vazhdojnë protestimin në rrugë. Përsëri me kërkesat e njëjta.

Protestën e kanë lajmëruar për 9 dhjetor, në orën 12:00, sërish në shesh para qeverisë.

Specialëve në protestë u janë bashkuar grupe të tjera të pakënaqurish brenda policisë si Departamenti për Hetime, ai për Rend Publik dhe departamente të tjera.

Nga çfarë ka marrë vesh Albanian Post nga burime brenda policisë, përqendrimi i Qeverisë nuk është që të gjejë një zgjidhje për të pakënaqurit e FIT-it, por hetimi i një mundësie për zëvendësimin e tyre, meqë tashmë nga qeveria portretizohen si “kokëçarës”.

Por, nga kjo njësi nuk e kanë ndërmend t’i ndalin protestat deri në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare që i kënaqë kërkesat e tyre.

Protesta publike është zgjedhur si opsion vetëm pas muajsh prezantimi të problemeve brenda strukturave dhe premtimeve të Qeverisë se do të merren parasysh kërkesat e tyre.

FIT/NjSI, që u themelua në vitin 2007, kryen operacione të sigurisë në raste të veçanta dhe zgjidhjen e situatave me të cilat nuk mund të përballen njësitet tjera të policisë.

Është grupi më i vogël në polici për nga numri i anëtarëve, por grupi më profesional dhe efikas. Ata angazhohen në rastet kur përmbushja e detyrave zyrtare të mbrojtjes së jetës dhe pasurisë paraqet rrezikshmëri tejet të lartë për rendin dhe sigurinë në përgjithësi dhe për pjesëtarët e policisë.

Ata bëjnë reagime të shpejta dhe profesionale, por për shkak të zhvillimeve në vitet e fundit në Veri të Kosovës, kanë marrë edhe role të tjera si menaxhimin e situatave të rrezikshme atje, patrullimin dhe kontrollimin në zona të rrezikshme.

NjSI shpesh portretizohet si krenaria e shtetit dhe shëmbëlltyrë e zhvillimit dhe profesionalitetit të organeve të Kosovës.

Në përgjithësi, Policia e Kosovës në sondazhe del si një nga institucionet më të besueshme dhe më të respektuara për qytetarët e Kosovës/albanianpost

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...