Live

Nushi: Do të ketë marrëveshje të shtunën, do të jetë e dëmshme për Kosovën

18:17 / 17 Mars 2023

Nga Kosova Live

Nol Nushi nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD) ka thënë se pret që nga takimi i Ohrit të arrihet një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë dhe se e njëjta, do të jetë e dëmshme për shtetin e Kosovës.

I ftuar në “FIVE” të RTV Dukagjini, Nushi ka thënë se gatishmëria e Kosovës për të pranuar një marrëveshje në Ohër është e lartë.

“Po, unë besoj që ka marrëveshje të shtunën sç kam besuar se do  të ketë marrëveshje edhe herën e kaluar kur ishte takimi i fundit dhe u bë dakordimi për planin franko-gjerman. Kjo për faktin se tanimë, palët kanë hyrë në fazën përfundimtare të dialogut dhe nuk lejohet më shterja e tij nga ata që po e fasilitojnë dialogun dhe këtu përgjegjës janë të dyja palët por unë po flas për palën tonë se kjo është më e rëndësishme. Janë gju kartat e zvarritjeve, besa kur kanë ndodhë ato zvarritje kanë bërë dëm kështu  që, durimi ndërmjet ndërmjetësve të humbet dhe sot, edhe në gjuhën e tyre dhe në informatat që dalin prej këtyre faktorëve të ndryshëm ndërkombëtar e vendor tregojnë që presioni është i lartë dhe gatishmëria e Kosovës për ta pranuar këtë marrëveshje është e lartë”, ka deklaruar ai.

Ndër të tjera, Nushi vlerëson se një marrëveshje e tillë  do të ishte e dëmshme për Kosovën.

“Absolutisht e dëmshme sepse kemi humbur rastin që përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse ta fitojmë njohjen përmes së cilës shteti i Kosovës do të konsolidohej përfundimisht nga jashtë”, ka deklaruar ai gjersa ka theksuar se Kosova po hyn në një proces pa ditur kohëzgjatjen e saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të shtunën e 18 marsit do të zhvillojnë një takim të nivelit të lartë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.

I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Shpërndaje në

U Kopjua