Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Arnhild Spence,u takua sot me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Temë diskutimi e këtij takimi ishin vërshimet e fundit në vend.
Me këtë rast, Ministri Sveçla, e njoftoi Spence për gjendjen e përgjithshme e cila është për momentin në komunat ku ka pasur vërshime më të mëdha dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës. Ai theksoi se fatmirësisht nuk ka pasur viktima në njerëz, megjithatë theksoi se dëmet janë shumë të mëdha.
Ndërsa Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Arnhild Spence, e falënderoi ministrin Sveçla për rezymenë e përgjithshme për situatën pas vërshimeve dhe vuri në pah se Kombet e Bashkuara janë në gatishmëri që të ndihmojë familjet dhe qytetarët që janë prekur nga vërshimet.
Ditëve në vijim do të vazhdojë koordinimi me Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe agjencitë e saj, në mënyrë që të realizohen kërkesat dhe nevojat e pranuara nga komunat dhe nga qytetarët.