Analisti dhe gazetari Parim Olluri e ka kritikuar Qeverinë për menaxhimin e procesit të dialogut me Serbinë. Ai ka thënë vetëm pas përplasjes me ta, Qeveria e zbuloi që Borrell e Lajçak kanë kombësi spanjolle dhe sllovake.
“Qeveria Kurti me zbulu që Borrelli është spanjoll e Lajcaku sllovak. Tek tash e zbuluan kombësinë e tyre. Pse Borrelli në asnjë moment nuk ishte kaq i anshëm, e pse ishte kaq i anshëm pas takimit Kurti-Vuçiq?”, ka pyetur Olluri në Pressing të T7.
Ai e ka kritikuar deputetin e VV-së, Mefail Bajqinovci për deklaratat tallëse për Borrellin.
“Ia lëshojnë Mefin në qafë për me qujtë Borrellin “Vorrell”. Po mendojnë që Mefi e gjunjëzon BE-në”, ka thënë ai.
Olluri ka vlerësuar se kryeministri nuk po humbë kohë për dinjitetin e Kosovës, por për dinjitetin e tij.
“Kurti nuk është duke humbur kohë me ia rujtë dinjitetin Kosovës, por është duke bërë përpjekje të mëdha për ta ruajtur dinjitetin e tij, për shkak të Zajednicës. Gjatë rrugës Kurti nuk diti me i bindë ndërkombëtarët. Ai mendoi që vet e shtyn agjendën e zhbërjes së Zajednicës, bëri llogari të gabuara”, tha Olluri.