Arkeologët kanë zbuluar, së fundmi, vendvarrimin e dy vëllezërve që jetuan midis viteve 1550 dhe 1450 p.e.s në Izrael. Ajo që i befasoi ata pamasë ishte gjurma e një operacioni në tru, që njëri nga vëllezërit kishte kryer pak para se të vdiste.
Gjetja shënon shembullin më të hershëm të “trefinimit” – një lloj operacioni që realizohet duke hapur një vrimë në kafkë, e duke intervenuar më pas në tru. Kjo procedurë mjekësore, sipas ekspertëve, daton mijëra vjet më parë, por ky është rasti më i vjetër i zbuluar deri më tani.
Eshtrat e vëllezërve, të cilët jetuan gjatë epokës së bronzit, u gjetën gjatë gërmimit të një varri në qytetin antik të Tel Megiddo. Vëllai më i madh, kishte në kokën e tij shenja që mendohet të jenë realizuar përmes një instrumenti të mprehtë. Katër vija në formë kryqi në kockën ballore të kafkës, janë gjurmët e ruajtura nga një vrimë 30 milimetra e hapur për të kryer operimin.
Pjesët e hequra të kafkës, gjatë operacionit, u vunë në varrin e njërit prej vëllezërve
Varri u gjet në një zonë ngjitur me një pallat të vonë të epokës së bronzit, duke i bërë studiuesit të besojnë se dy burrat mund të kenë qenë anëtarë të një rangu të lartë shoqëror. Sipas ekspertizës së skeleteve, vëllezërit ka gjasë të kenë vuajtur për një kohë të gjatë nga sëmundje kronike, por kanë arritur të mbijetojnë.
Vëllai më i vogël vdiq në adoleshencë ose në fillim të të 20-tave, për shkak të ndonjë sëmundje infektive si tuberkulozi apo lebra. Ndërsa vëllai i madh mund të ketë pasur edhe një sëmundje që prek kockat dhe dhëmbët, mirëpo arsyeja e saktë e operimit në tru, ende nuk dihet. Ndërhyrja mund të jetë kryer për të trajtuar simptomat e epilepsisë ose të sinuseve. Sidoqoftë, pas analizave, studiuesit dolën në përfundimin se disa ditë ose disa orë pas operimit, burri ka ndërruar jetë.