Live

Osmani ia dha vjet nënshtetësinë Mihalit, e cila po akuzohet për kontroll mbi deputetët e VV-së

19:25 / 17 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në shtator të vitit të kaluar, ia pati dhënë nënshtetësinë e Kosovës bashkëpuntores më të afërt të Albin Kurtit, Dejona Mihalit. Kjo e fundit është akuzuar dje nga deputeti i VV-së, Haki Abazi, për ushtrim pushteti mbi Grupin Parlamentar të partisë në pushtet.

Mihalit njihet si “nëntoka” e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila merret me lista punësimesh, lista largimesh nga puna dhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në pushtetet e kaluara ka pasur ngapak probleme me hyrjen në Kosovë, por Dejona Mihalit ia ka zgjidhur këtë problem vetë presidentja Vjosa Osmani.

Demokracia.com ka raportuar më herët për kërkesën e Mihalit për shtetësi dhe dekretin e presidentes Osmani, ku me procedurë të përshpejtuar e ka bërë atë kosovare.

Në fillim të vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare, Dejona Mihali është bërë zyrtarisht shtetase e Republikës së Kosovës brenda një muaji, pas dorëzimit të kërkesës së saj.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Demokracia.com, ajo më 4 shkurt 2022 e ka dorëzuar kërkesën, më 11 shkurt 2022, siç shkruan në “preambulën” e dekretit, i është protokolluar dhe më 31 mars 2022 asaj i është dorëzuar edhe dekreti i presidentes Vjosa Osmani.

Në verën e vitit 2016, Policia e Kosovës ia kishte ndaluar asaj hyrjen në Kosovë dhe kjo e kishte nervozuar fort lidershipin e LVV-së.

“A mund të na tregojnë pra, autoritetet e Kosovës që e kanë marrë këtë vendim, se me cilin veprim Dejona Mihali e ka shkelë rendin publik, sigurinë publike, shëndetin publik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare?”, kishte thënë Konjufca në një konferencë të jashtëzakonshme, menjëherë pas atij vendimi të institucioneve të Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani me procedurë të përshpejtuar, sikur të ishte kushedi çfarë interesi shtetëror, menjëherë pas kërkesës së saj në muajin tjetër e kishte nxjerr dekretin për ta bërë kosovare Dejona Mihalin.

Mihali është cilësuar si “masha e Kurtit” dje nga deputeti Abazi, duke thënë se dirigjon vendimet e deputetëve të VV-së.

“Nga shkurti i vitit të kaluar kam depozituar kërkesën për krijimin e Komisionit Hetimor për Privatizim, është bllokuar nga Dejona Mihali. Arsyeja pse po e përmend me emër është sepse është dora, masha e kontrollit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, duke mbi vendosur mbi vullnetin e secilit eputet. Znj. Mihali s’ka qenë pjesë e votimeve, nuk ka qenë e listës së deputetëve, nuk ka qenë në garën e brendshme për zgjedhjet e brendshme, por është njeriu kryesor që kontrollon dhe menaxhon me Grupin Parlamentar dhe vendimarrjen që bëhet”, ka deklaruar Abazi.

Shpërndaje në

U Kopjua