Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka pritur të takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, të cilin e ka uruar për emërimin në Dhomën e Lordëve.
Osmani tha se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara dhe të angazhuara për paqe dhe siguri.
“Presidentja Osmani vuri në pah se Kosova vazhdon të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë dhe në këtë kontekst ka kërkuar përfshirje më të madhe të Britanisë së Madhe si një anëtare kyçe e NATO-s dhe një partnere historike e Kosovës”, njofton Zyra e Presidentës.
Ajo tha se pala serbe po mundohet që nëpërmjet përpjekjeve për destabilizim të Kosovës përpiqet ta zhvendosë fokusin nga dialogu.
“Kërkoj që bashkësia ndërkombëtare të mbajë një qëndrim unik, të dënohen veprimet destabilizuese të Serbisë duke mos bërë barazimin e palëve kur dihet qartë se kush është agresori”, tha ajo.
E para e shtetit të Kosovës shtoi se rendi dhe ligji në veri po sfidohet nga bandat kriminale të armatosura, të dirigjuara nga lidershipi i Serbisë, të cilat ndodhen në listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe.
“Është nën përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për ta siguruar sundimin e ligjit, paqes dhe sigurisë në mënyrë të barabartë në të gjithë Republikën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët pa dallim”, theksoi ajo.