Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në orët e vona të ditës së djeshme shkoi në adresë të një spitali privat në Prishtinë për të kryer krejt një ndërhyrje të lehtë kirurgjikale. Përpos që besimin ia ofroi spitalit ‘Aloka’, jo kirurgëve të QKUK-së, institucion që injoroi dhe anashkaloi, ajo tentoi ta mbajë krejt larg vëmendjes së opinionit publik e mediave.
Sido që të jetë, ne po rikthejmë në kujtesë rastin e Isa Mustafës kur shkoi në spitalet e Gjermanisë dhe zhurmën e madhe të Vetëvendosjes për këtë gjë, shërimin e nënës së Ramush Haradinajt në Tiranë, pastaj ndërhyrjen e ish presidentit Thaçi në QKU, si dhe fjalët e mëdha të pushtetit aktual për imazhin e institucioneve publike spitalore.
Në orët e vona të së mërkurës, në oborrin e spitalit privat ‘Aloka’ u panë veturat zyrtare që i përkisnin presidencës. Ishin mediat që e zbuluan se bëhet fjalë për prezencën e presidentes Vjosa Osmanit aty që kishte shkuar për të hequr tëmthin. Presidenca nuk bëri ndonjë paralajmërim paraprak, por tek pasmesnate, pas presionit dhanë një përgjigje:
‘’Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses.
Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca.
Nga 3 nëntori, Presidentja do të vazhdoj me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’i kthehet angazhimeve publike.
Gjatë kësaj periudhe, kërkojmë mirëkuptimin e medieve për të respektuar të drejtën fundamental për privatësi të Presidentes, që është e garantuar me kushtetutë.’’.
Lidhur me këtë, deri tash asnjë reagim nga Vetëvendosje, prej të cilëve jemi mësuar që në raste të ngjashme të bëjnë shumë ama shumë zhurmë, shkruan Periskopi.
Kirurgët e QKUK-së me reagim
Në një reagim të nënshkruar nga 18 kirurgë, është shprehur indinjata e tyre për anashkalimin e institucionit publik, në këtë rast Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në QKUK, nga Presidentja Osmani.
“Duke u bazuar në situatën aktuale Kolegjiumi i Kirurgëve të Kosovës reagon ndaj anashkalimit të Presidentes së Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmani, që i ka bërë këtij institucioni duke mos kërkuar trajtim shëndetësor në institucionin tonë, por pa u konsultuar fare me personelin udhëheqës, ka marr trajtim shëndetësor jashtë SHSKUK-së”, thuhet në këtë reagim.
Hashim Thaçi u shtri në QKUK
Ishte koha e pandemisë, prilli i vitit 2020 kur ish presidenti Hashim Thaçi ishte detyruar për një ndërhyrje kirurgjikale të heqjes së gurëve në veshkë. Për dallim nga Vjosa Osmani, ai kishte zgjedhur Klinikën e Urologjisë në QKUK.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas shqetësimeve të shfaqura nga gurët në veshkë, sot ka shkuar për një kontroll në Emergjencën e QKUK-së dhe më pas është shtrirë në Klinikën e Urologjisë, ku po trajtohet nga personeli mjekësor profesional”, kishte njoftuar Presidenca.
Isa Mustafa në Gjermani pas gjendjes së rëndë dhe ‘Hienat’ e VV’së
Ishte janari i vitit 2018 kur ish-kryeministrit Isa Mustafa iu shfaqën disa komplikime shëndetësore. Fillimisht ai ishte shtrirë në Spitalin Amerikan në Prishtinë, për të vazhduar pastaj trajtimin në një spital të Shtutgardit të Gjermanisë.
Realisht, Mustafa kishte një problem më të ndërlikuar shëndetësor.
“Ai në spital është paraqitur për shkak të simptomave të lodhjes, plogështisë gripale dhe dobësisë së gjymtyrëve. Pas procedurave përkatëse diagnostike, është arritur te diagnostikohet dhe të trajtohet me terapinë përkatëse specifike që jepet për këtë rast”, thuhet në njoftimin e atëhershëm të spitalit.
Ky rast, nuk i kishte shpëtuar opozitës së atëhershme, Vetëvendosjes që ta sulmonin pse zgjodhi të shkojë të shërohet në një shtet tjetër, duke e akuzuar për degradim të shëndetësisë në kohën kur ishte kryeministër.
Këto fjalë ia kishte adresuar deputetja Fitore Pacolli.
‘’Mua që flas për mungesën e një sistemi publik shëndetësor që ofron përkujdesje cilësore për të gjithë apo juve që po arsyetoheni se nuk keni pasur nevojë të pyesni askënd për mjekimin tënd jashtë shtetit të cilin ju e keni udhëhequr për një kohë?’’, thoshte Pacolli.
Ramush Haradinaj e çoi nënën në spitalin e Tiranës – Vetëvendosje zhurmë
Kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj e kishte dërguar nënën e tij për shërim jashtë shtetit, pra në Tiranë.
Haradinaj me datë 26 gusht të vitit 2018 teksa kishte publikuar një foto me nënën e tij kishte shkruar se e ka kryer një ndërhyrje kirurgjike të cilën e kishte përballuar me sukses.
Edhe në këtë rast, Vetëvendosje kishte gjetur të kapej e ta akuzonte Haradinajn për gjendjen e rëndë në shëndetësinë kosovare.
Sërish ishte deputetja Fitore Pacolli.
“Tash më kujtohet se e patëm kundërshtuar kur kryeministri Haradinaj në atë kohë e kishte dërguar nënën e tij për shërim jashtë shtetit, dhe kjo u pat ngritë si dilemë por nuk është diskutuar shumë. Paramendo në një vend evropian kur një kryeministër e dërgon prindin e tij apo veten për shërim jashtë shtetit”, kishte deklaruar Pacolli.
Kurti e VV gojën plot për përmirësimin e gjendjes në sektorin publik
Albin Kurti e partia e tij, para se të vinin në pushtet, por edhe gjatë fushatës elektorale kishte premtuar ndryshime të mëdha në shëndetësi dhe kthim të besimit nëpër institucionet publike shëndetësore.
Kurti edhe pasi erdhi në pushtet tha se prioritet e ka ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, duke e transformuar shëndetësinë, përmes digjitalizimit të shërbimeve shëndetësore dhe themelimit të Sistemit Informativ Shëndetësor.
Sipas tij, mbrojtja e shëndetit të qytetarëve do të bëhet po ashtu me mbulueshmërinë universale dhe sigurimet shëndetësore; parandalimin e sëmundjeve ngjitëse; rritjen së cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe zgjerimit të tyre, përfshirë mjekësinë parandaluese; ruajtjes dhe kthimit të trurit; ngritjes së cilësisë së edukimit specialistik dhe zhvillimit të hulumtimeve shkencore në mjekësi.
Krejt në fund, kur jemi te presidentja Vjosa Osmani, kujtojmë intervenimin e saj në Turqi për ngushtim lukthi, që po ashtu ishte mbajtur fshehur fillimisht nga presidenca. Kjo kishte nxitur reagime të shumta.