Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka dekoruar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët morën pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit pas tërmetit në Turqi.
Të pranishëm ishin edhe familjarë të pjesëtarëve të FSK-së e ambasadorë të të dyja vendeve përkatëse.
Presidentja Osmani, ka thënë FSK-ja ka dëshmuar se jo vetëm që është e gatshme t’i mbrojë kufijtë e Kosovës por edhe t’u dalë në ndihmë shteteve.
“Ushtarakët tanë janë përfshirë në operacionet e kërkim-shpëtimit duke punuar pa ndërprerë për t’i gjetur të mbijetuarit dhe për tu ofruar ndihmë të plagosurve”.
“Përpjekjet humanitare të ushtrisë sonë jo vetëm që i kanë ndihmuar njerëzit tanë por gjithashtu kanë dëshmuar kapacitetet e shtetit tonë për t’u dalë në ndihmë miqve. Veprimet e tyre kanë treguar se ushtria jo vetëm që është e aftë të mbrojë kombin tonë ndaj kërcënimeve të jashtme por gjithashtu është e përkushtuar për t’i ofruar mbështetje edhe kombeve mike”, tha Osmani.
Ndërsa, ambasadori i Turqisë në Kosovë, falënderoi autoritetet kosovare për ndihmën e dalë pas tërmetit në shtetin e tij.
“U jemi mirënjohës popullit të Kosovës për ndihmën e ofruar popullit tonë. Ky akt tregon se miqësia jonë është e fuqishme dhe solide, prandaj ju falënderoj të gjithëve”, tha ambasadori turk në Kosovë.