Live

Osmani-Sadriu: Takimi në Bruksel i kontribon paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon

14:43 / 28 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani vlerëson se takimi i 27 shkurtit në Bruksel, në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian (BE) dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shënon moment pozitiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ky takim i i kontribuon paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon, thuhet në deklaratën e presidencës.

Presidentja e Republikës së Kosovës vlerëson se nëse marrëveshja zbatohet në mënyrë burimore, ajo do të përcaktonte parime të rëndësishme për relacionet ndërmjet palëve, duke i vendosur si të barabarta, me respekt reciprok dhe në përputhje me parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë parimin e respektimit të integritetit territorial.

Sipas presidentes janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe.

“Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit”, thuhet në deklaratë.

Osmani thekson se çdo rezultat i dialogut duhet ta ruajë integritetin territorial, sovranitetin dhe funksionalitetit e brendshëm të Kosovës.

Mirëpo, duhet nënvizuar çdoherë se “procesi i dialogut duhet të përmbyllet me njohjen reciproke, ndaj Plani Evropian mund të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi”.

Shpërndaje në

U Kopjua