Në Reçak sot po shënohet 24 vjetori i masakrës së kryer nga forcat paramilitare serbe nën direktivat e kriminelit Sllobodan Millosheviq.
E para e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se çdo varr në Reçak ka një histori tmerri.
Në akademinë përkujtimore, ajo shtoi se deklarata e Walker bëri jehonë kudo në botë.
“Aty mizoria e regjimit mori trajtën më çnjerëzore, shënoi një moment që vetëdija ndërkombëtarëve u zgjua përfundimisht. Reçaku dëshmoi se Kosova ishte edhe sfida e përballjes demokratike, a do të dorëzohej një qytetërim botëror para një barbarie. Ky moment kthese lidhej me një emër dhe një njeri, ambasadori Willlam Walker. Krimet e kryera këtu në Reçak, ku civilë shqiptarë u shënuan mizorisht i dëshmuan botës për tragjedinë që po përjetonin shqiptarët”, u shpreh Osmani.
“Sot kur i kujtojmë me dhimbje të dashurit tanë, detyrimi për të siguruar drejtësi për ta bëhet synimi ynë më i rëndësishëm. Historia e gjithsecilit prej tyre është vet historia e Kosovës. Ata thërrasin për drejtësi sot e kurdo herë. Mos të harrojmë kurrë që çdo varr në Reçak ka një histori tmerri”- ka shtuar ajo.