Kryediplomati i Togos, Robert Dussey para dy ditëve në Beograd, gjatë një konference për media me homologun e tij serb Ivica Daçiq, ka thënë se është tërhequr vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Ne në Togo njohim vetëm një Serbi, një Serbi të bashkuar. Jam i lumtur që ju dëgjoj duke përmendur tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe ky është vendim definitiv”, ka thënë Dussey.
Lidhur me këtë ka reaguar ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla e cila ka thënë se ka thënë se çnjohja nga Togo ka ndodhur në vitin 2019, para se të vinte Qeveria Kurti.
“Të gjithë të ekzaltuarve rreth “ç’njohjes” së Togos dhe propagandës së Daçiçit dua t’iu rikujtoj që ajo ka ndodhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri. Më e pakta që do të duhej të ndodhte pas një propagande të tillë të përsëritur dhe fushatës kundër Kosovës është qëndrimi unik ndaj propagandës së Daçiçit dhe Vuçiçit, jo vetëm rreth “ç’njohjeve”, ka shkruar ajo në Facebook.
Atë kohë (viti 2019), kur Gërvalla thotë se ka ndodhur çnjohja, në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme ka qenë kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.
Por çfarë thotë Pacolli për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Togo dhe a ka pasur njohuri për këtë?
Pacolli në një prononcim për Indeksonline ka demantuar minstren Gërvalla duke theksuar se çnjohja ka ndodhur këto ditë në Beograd.
Ai thotë se këtu në Kosovë nuk kanë pasur njohuri që Togo ka tërhequr njohjen, megjithëse shton se ka pasur vetëm “zëra”.
“Çnjohja”, nese doni me e quajt çnjohje, ka ndodhur këto ditë në Beograd. Ashtu si e konfirmonte ministrja e PJ (pak para se të ndodh paraqitja e ministrit të Togos në konferencë për shtyp në Beograd) ne këtu në Kosovë nuk kemi pasur njohuri që Togo ka tërhequr njohjen. Ka pasur vetëm zëra, propagandë nga Beogradi“, thotë Pacolli për Indeksonline.
Në anën tjetër, Pacolli thekson se është detyrë e Gërvalles të mirret me njohjet, çnjohjet apo kultivimin e marrëdhënieve të mira me botën.
“Nuk kisha dashur të hy në polemikë me zonjën Gërvalla duke ditur se është detyrë e saj te mirret me njohjet, çnjohjet apo kultivimin e marrëdhënieve të mira me botën. Njohja ka ndodhur në vitin 2014 si kontribut i një pune intenzive nga viti 2009“, u shpreh ai.