Live

“Pajtohen” Qeveria dhe gjyqësori, nënshkruajnë Deklaratën e Zotimit për reformat në drejtësi

17:08 / 14 Mars 2023

Nga Kosova Live

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka gjetur paqen me krerët e institucioneve gjyqësore. Ajo sot bashkë me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, U.D i Kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendi, dhe U.D Kryetare e Gjykatës Supreme kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët zotimi për reformat në sistemin e drejtësisë.

Ky është dokumenti i parë që Ministria e Drejtësisë e nënshkruan me institucionet e pushtetit gjyqësor në vend.
Deri me tani në Qeverinë Kurti II kemi parë një përplasje të vazhdueshme të ekzekutivit me prokurorët dhe gjyqtarët.

Vetingu, Byroja e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë, Ligji për Këshillin Prokurorial e disa nisma të tjera të Qeverisë Kurti II, shihen si hapa drejt reformës në sistemin e drejtësisë.

Që këto reforma të ndodhin, duhet një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet institucioneve politike e atyre profesionale.

Deri tash Ministria e Drejtësisë nuk kanë arritur ta ndërtojnë një komunikim të mirëfilltë me institucionet që pritet t’i nënshtrohen kësaj reforme, e pa të cilat vështirë se bëhet.

Pas shumë përplasjeve, e marta e 14 marsit mund të jetë mbase “dita e pajtimit” ndërmjet dy pushteteve, ekzekutivit e gjyqësorit.

Në fakt, ishte Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i cili doli me një propozim për Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Prokurorial e Zyrën e Kryeprokurorit të shtetit në lidhje me reformat në sistemin e drejtësisë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka qenë nismatar, duke propozuar që të gjitha këto institucione të dalin me këtë deklaratë të përbashkët zotimi.

Sipas këtij propozimi, që tashmë është deklaratë e nënshkruar, këto institucione duhet të zotohen që të themelojnë grupe të përbashkëta pune për vlerësimin, konceptualizimin dhe draftimin e nismave ligjore me synimin e përbashkët për ta qartësuar amantamentuar dhe fuqizuar kuadrin ligjor, që kanë të bëjnë me reformat në drejtësi.

Letra e zotimit e bashkë me të një plan veprimi se si do të duket reforma në drejtësi, poshtë saj përmban emrat e krerëve të këtyre institucioneve të prirë nga ministrja Albulena Haxhiu.

Çka thuhet në deklaratë?

Në fillim të kësaj letre, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e konstaton nevojën për intensifikim të reformës në drejtësi, duke ju referuar edhe Raportit të Komisionit të Bashkimit Evropian, Opinionit të Komisionit të Venecias e vlerësimeve të tjera nga organizata vendore e ndërkombëtare.

Në qendër të këtij propozimi qëndron zotimi i Ministrisë së Drejtësisë, KGJK-së, KPK-së, Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit për të themeluar grupe të përbashkëta për vlerësimin, konceputalizimin dhe draftimin e nismave ligjore me synim për të qartësuar dhe fuqizuar kuadrin ligjor pikërisht për reformën.

Detyrat e këtyre grupeve të përbashkëta sipas kërkesës së KGJK-së do të ishin: Vlerësimi i Performancës së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Procesi i Rekurtimit, emërimit dhe riemërimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Sistemi i Disiplinimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Sistemi i Verifikimit të Profilit të Kandidatëve për Gjyqtarë dhe Prokurorë, Zhvillimi Profesional i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Forcimi i Mekanizmave për Deklarimin e Pasurisë për Gjyqtarët dhe Prokurorët, Statusi i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe Zbatimi i rekomantimeve nga Misioni i TAIEX për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ku mbet Vettingu?

Në propozimin e Këshillit Gjyqësor, rreth një muaj më parë, disa rreshta u kushtoheshin edhe Vettingut. Aty thuhej se institucionet nënshkruese të kësaj deklarate kanë qëndrime të ndryshme rreth amandamenteve Kushtetuese, për Vettingun.

“Institucionet nënshkruese të kësaj deklarate, pa paragjykuar procesin e Komisionit Ad Hoc të Kuvendit të Republikës së Kosovës, rreth amadnamenteve Kushtetuese dhe Ligjit për Vetting (pasi që institucionet nënshkruese të kësaj deklarate kanë qëndrime të ndryshme rreth amandamenteve Kushtetuese), dhe në linjë me Opinionin e Komisionit të Venecias, respektivisht rekomandimin e Venecias “ për hyrje në dialog të plotë me Këshillat” marrin këtë zotim për ta jetësuar këtë pako të reformës ligjore me qëllimin përfundimtar fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë”- thuhej në propozim.

Kurse, në deklaratën e nënshkruar sot, nuk përmendet fare procesi i Vettingut. Ani pse Konjufca e ka dërguar në kushtetuese, vendimin e komisionit Ad-Hoc, të formuar nga deputetët e Kuvendit, me të cilin ju dha drita e gjelbër amandamenteve kushtetuese.

Në deklaratën që institucionet e drejtësisë zotohen për reformat në drejtësi, ekziston edhe një plan konkret veprimi.

Specifikat e funksionimit të këtij grupi, janë dhënë në një tabelë të paraqitur e që quhet “Plani i Veprimit”, i cili ndahet në 4 objektiva: 1. Përmirësimi i Efikasitetit, Transparencës dhe Disiplinës në Sistemin Gjyqësor dhe Prokurorial, 2. Fuqizimi i Mekanizmave të brendshëm për Verifikim dhe Kontroll të Integritetit, 3. Avancimi dhe Fuqizimi i Statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, 4. Forcimi i Mekanizmave për Deklarim të Pasurisë për GJyqtarë dhe Prokurorë.

Mbetet të shihet, se si do të duken në terren këto veprime të institucioneve të drejtësisë, për çka Nacionale do të raportoj vazhdimisht.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...