Shqipe Pantina, deputete në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka faktuar njohjen e Asociacionit, dje në takimin trepalësh në Bruksel.
“Kurti i ka pasur dy zgjidhje para vetes për marrëveshjen që është më problematikja, të cilën ai sot e ka faktuar edhe me dëshminë e tij dhe dakordimin e tij për këtë plan, e cila është pika 7 e kësaj marrëveshje që është e famshmja Zajednicë, Asociacioni”, ka thënë Pantina në Info Magazinë.
Sipas Pantinës, Kurti nuk e ka kundërshtuar Asociacionin me qëllim që ta mbajë pushtetin.
“Ai edhe kur e ka kundërshtuar marrëveshjen, nuk e ka kundërshtuar atë për shkak se ka menduar se një marrëveshje e tillë, sepse kjo nuk ndryshon shumë nga e viti 2013 e 2015, pra jemi kthyer mbrapa dhjetë vjet, këtë e ka bërë për ta marrë pushtetin dhe sot e pranoi atë për ta mbajtur pushtetin”, ka shtuar ajo.
Ajo theksoi se marrëveshja e djeshme nuk ka ndryshim përmbajtjesor nga ajo që është dakorduar deri tani nga qeveritë e mëhershme.
“Në përmbajtje s’kemi diçka të re. E reja është se atëherë e kundërshtonte për të ardhur në pushtet e tash e mbron për të qëndruar në pushtet”, ka vazhduar Pantina.