Live

Paqe mes Osmanit e Ramës apo vetëm një armëpushim për festë?

16:15 / 29 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Presidentja Osmani dhe Kryeministri Rama kaluan një pjesë të gjatë të ditës duke e duruar njëri-tjetrin, me rastin e 28 Nëntorit. Dhe, Rama s’e ka lëshuar rastin pa e dokumentuar këtë në rrjetet e tij sociale. Megjithatë, nuk dihet nëse raportet e dy liderëve janë përmirësuar, apo kafja, dreka dhe vizitat e përbashkëta nëpër Shqipëri, ishin paraqitje për hir të festës së Pavarësisë.

Në një fotoalbum të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, një nga protagonistët në shumicën e fotografive është Presidentja Vjosa Osmani.

Rama, që pëlqen seleksionimin dhe publikimin e fotografive në rrjete sociale, ka përzgjedhur disa sosh përmes të cilat reflektonin se dy liderët kanë përmirësuar raportet, së paku aq sa për të ndenjur bashkë.

Edi Rama/FB
Nëntor, 2022

Spekulimet se Rama dhe Osmani kanë raporte jo të mira mes vete ishte lexuar pikërisht prej fotografive që dilnin nga forume ndërkombëtare. Në shumë prej tyre, të dy dukej se e evitonin njëri-tjetrin, me aq sa mundnin. Raportet e këqija mes tyre kishin shfaqur rreth dy vite më parë,  kur Osmani në një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, si ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës, kishte bërë deklarta me të cilat kishte thumbur Ramën. Osmani e kishte shënjestruar kryeministrin shqiptar për raportet me Vuçiqin dhe për pagesën që duhet të bëjnë kosovarët në rrugën e kombit.

E keqja mes tyre vetëm sa vinte duke u amplifikuar pasi Osmani u zgjodh Presidente e vendit. Në një rast, gjatë një takimi të kancelarit gjerman, Olaf Scholz me liderët e Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani kishte zgjedhur ta publikojë një fotografi, ku Ramës i shihej gjysma e trupit. Ky postim u bë lajm në mediat e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Fotografi nga Samiti SEECP, Greqi
Qershor, 2022

Edhe në raste të tjera, kryesisht në mjedise ndërkombëtare, ku Kryeministrit Rama dhe Presidentes Osmani u binte t’i përfaqësonin shtetet e tyre, kishin kontakte minimale me njëri-tjetrin, me aq sa shpërfaqin në njoftimet e tyre.

Në shtator, ata qëndruan rreth një javë në Nju Jork, në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri Rama kishte mbajtur një fjalim, të cilin ia kishte kushtuar Kosovës dhe krerëve të UÇK-së, që mbahen në Hagë. Kryefjala e Ramës ishte miku i tij, ish-Presidenti i Kosovës. Osmanit i ra ta dëgjonte fjalimin për kundërshtarin e madh të saj.

Pak më vonë, po nga Nju Jorku, Presidentja Osmani kishte vendosur të fliste hapur për raportet e saj me Ramën, duke i konfirmuar raportimet se ato nuk qëndronin mirë.

“Mosmarrëveshjet janë të natyrës zyrtare për temat të cilat edhe i përmenda. Natyrisht që raportet ndërpersonale në mes të politikanëve janë komplet të parëndësishme, por çka është e rëndësishme është raportet ndërshtetërore”, kishte thënë Presidentja Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Osmani nuk e kishte komentuar fjalimin e Ramës, ndërsa e e akuzonte tërthorazi atë se po arsyetonte qasjen proruse të Serbisë dhe po tentonte ta justifikonte regjimin e tanishëm në Serbi, që i ka shërbyer edhe liderin famëkeq, Sllobodan Millosheviqit.

“Unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë, pavarësisht se a janë nga Kosova, nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut apo nga Mali i Zi apo Presheva, shndërrohen në apologjetikë të politikave të Serbisë është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës qoftë shqiptarëve”.

“Nuk mendoj që është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet proruse të Serbisë, nuk mendoj aspak që është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë sepse kjo pastaj shkon në ato që quhen politika e “shpëtimit të fytyrës” së një regjimi në Serbi që po ashtu ka shërbyer edhe në kohën e (Slobodan) Millosheviçit”.

Në Shqipëri prej kohësh përfolet heshtja e Kryeministrit Rama për mungesën e një rezolute, ku dënohet gjenocidi serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Presidentja Osmani, në pyetjen për raportet e saj me Ramën, pati thënë edhe se nuk duhet të zvogëlohen krimet e kryera në Kosovë, pasi ajo që ka ndodhur ishte gjenocid.

“Po ashtu nuk mendoj që duhet të reduktohen krimet që janë kryer në Kosovë në spastrim etnik, sepse ajo çka ka ndodhur në Kosovë është gjenocid dhe duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë”, kishte thënë Osmani.

“…sepse ajo që ka ndodhur në Kosovë është gjenocid, gjenocid e krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe gjithçka tjetër është ndryshim historie. Prandaj edhe janë gjëra që unë i them shumë qartë, sepse nuk mendoj që nëse relativizohen shkojnë qoftë në interes të Kosovës qoftë në interes të shqiptarëve”, kishte thënë Osmani.

Publicisti nga Shqipëria, Mero Baze, shkruante se Osmani e ka përjetuar shumë rëndë fjalimin e Ramës, ku fliste për akuzat e Dick Martyt ndaj krerëve të UÇK-së.

“Ajo që e ka përjetuar më keq fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë në sallën e OKB, nuk ishte Serbia, por Vjosa Osmani. E ka përjetuar personalisht, si një urrejtëse e Edi Ramës dhe Shqipërisë…”, thuhej në një shkrim të Bazes.

Edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, thoshte se “urrejtja” e krerëve kosovarë, përfshirë Presidenten, është më e madhe se dashuria për Kosovën, prandaj po heshtnin ndaj fjalimit të Ramës në OKB.

Raportet e Kryeministrit Rama dhe Kryeministrit Kurti kanë përjetuar rënie dhe ngritje të herëpashershme. Kontakti i tyre është më i shpeshtë dhe ata kanë deklaruar se u shkon muhabeti edhe kur kanë mospajtime mes vete.

Ndërkaq, duket se raportet e Ramës me Osmanin, prej kur kjo është ngjitur në pushtet, kanë qenë të njëtrajtshme. Nuk dihet nëse ky përvjetor i Pavarësisë, kafja që e pinë bashkë dhe dreka dhe dita e kaluar bashkë në Shqipëri, ka relaksuar raportet mes tyre.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...