Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar se të mërkurën e 15 shkurtit është përvjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës, e me këtë rast, ata kanë bërë të ditur se do të organizojnë një marsh kundër Asociacionit.
“Asociacioni një etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë. Kështu sepse asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të thotë më shumë të drejta për komunitetin serb, por më shumë ndikim të Serbisë mbi territorin e Kosovës”.
“Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë për të cilin ende nuk ka kërkuar falje. E kaluara në vendet e rajonit na ka dëshmuar që asociacioni do të thotë autonomi e cila më pas ka shpier në luftë.Në vend se të flasim lidhur me marrëveshjen e cila parasheh njohjen reciproke të diplomave universitare në mes Kosovës dhe Serbisë, sot flitet vetëm për asociacionin një etnik që cenon stabilitetin dhe paqen e shtetit tonë”, thuhet në njoftim,
Parlamenti Studentor i ka ftuar të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në këtë marsh, përcjell Kosovalive.
“Prandaj të mërkurën e 15 shkurtit, përveçse kremtojmë përvjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, MARSHOJMË BASHKË KUNDËR ASOCIACIONIT. Me këtë rast Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht bindjeve politike, që të na bashkohen në marshin kundër asociacionit një etnik”, thuhet tutje në njoftimin e këtij parlamenti.