Pas festave të fundvitit, shqiptarët që ishin kthyer në atdhe kanë nisur të largohen drejt vendeve ku ato jetojnë e punojnë.
Në pikën kufitare të Kakavijës, deri në orën 10:30 të kësaj të hëne u shënuan radhë makinash, por më pas gjithçka u normalizua dhe në dalje po punohet nga policia kufitare me katër sportele. Të dhënat tregojnë se gjatë orëve të fundit janë larguar për në Greqi, 2201 qytetarë, teksa 1247 janë futur.
Edhe në Kapshticë, numri I qytetareve që kanë lënë Shqipërinë është i lartë. Për datën 1 Janar kanë dalë 2617 persona dhe janë futur 1343. Gjithashtu edhe në Qafë-Thanë kanë dalë 1904 qytetarë dhe kanë hyrë 1492.
Në portin e Durrësit nuk ka nisur ende fluksi në ikje. Të dhënat zyrtare tregojnë se që nga data 20 Dhjetor deri në 31 kanë hyrë 29.171 shtetas. Gjatë dy ditëve të fundit janë larguar nga ky port 1200 qytetarë.
Porti i Vlorës ka pritur numrin më të lartë të qytetarëve në hyrje që nga fundviti i 2019-ës, sipas shefit të përpunimit të trageteve në Vlorë, Festim Skëndaj.
Edhe në portin e Vlorës, sipas të dhënave nuk ka ende fluks në dalje, por sipas Skëndaj janë marrë të gjitha masat për përballimin e tij nëse do të ketë.