Vetëm disa ditë pasi lajmi.net raportoi se kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, kishte ndikuar që nipi i tij, Idriz Beqiri, të punësohej si menaxher i KRM “Ambienti” në Klinë, punëtorët së cilës u futën në grevë, atij i është ngritur aktakuzë për konflikt interesi edhe për punësimin e vajzës së tij, Marigona Elezaj, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë. Ngritjen e aktakuzës ndaj kryetarit të Klinës nga Prokuroria Themelore e Pejës, sot e ka konfirmuar për lajmi.net edhe vetë zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi. “Po është ngritur aktakuzë për veprën penale konflikt interesi”, ka thënë Nikçi për lajmi.net. Por, përveç punësimeve politike, protagonist i së cilave është vetë kryetari Zenun Elezaj, koalicioni qeverisës në Klinë këto ditë ka pësuar edhe lëkundje politike.
Në fillim të kësaj jave, kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, ka shkarkuar një prej drejtorëve më aktiv që vjen nga radhët e LDK-së, konkretisht Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, Arben Limani, si dhe i ka kërkuar dorëheqjen Petrit Bekës, Drejtor i Inspektoratit, i cili pas mosdorëzimit të dorëheqjes pritet së shpejti të shkarkohet.
Drejtori i deritashëm i DKA-së në Klinë, Arben Limani, është edhe nënkryetar i LDK-së në Klinë.
Por, pas shkarkimit, atij nuk i ka dalë fare në përkrahje LDK-ja e Klinës dhe kryetari i saj Fadil Gashi.
Lajmi.net, mëson se kryetari i LDK-së në Klinë, Fadil Gashi, që njëherësh është edhe kryesues i Kuvendit Komunal atje, nuk ka qenë i gatshëm që ta mbrojë nënkryetarin e LDK-së, pasi Elezaj sapo ia ka punësuar edhe bashkëshorten e djalit të tij me inicialet E.G. në Drejtorinë e Financave, e cila tani është në punë provuese në administratën e kësaj komune.
Po ashtu, nga burime brenda administratës së Klinës merret vesh se Gashi nuk i ka dalë kundër kryetarit Elezaj edhe nga frika e prishjes së koalicionit dhe humbjes së pozitës së tij zyrtare.
Drejtori i Urbanizmit në Klinë, i cili vjen nga radhët e AAK-së, sipas burimeve brenda kësaj komune është duke u hetuar nga Prokuroria për dhjetëra projekte kapitale me dyshimin se ka pasur keqpërdorime, por ai vazhdon të qëndrojë i patrazuar në pozitën e tij me pëlqimin e kreut të Klinës, Zenun Elezaj.