Live

PDK: Fuqizimi ekonomik i grave e vetmja mënyrë për të luftuar stereotipet gjinore

19:42 / 14 Mars 2023

Nga Kosova Live

Në kuadër të Javës së Gruas që po shënohet në Kosovë dhe për mundësitë që atyre u ofrohet në shoqëri, Valdete Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës, e ftuar në “Info Magazine” është shprehur e kënaqur për rezultatet e arritura deri tash në vetëdijësimin e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje.

“Më gëzon edhe një fakt se viteve të fundit pjesë e Javës së Gruas janë edhe burrat e djemtë, sepse jo rallëherë pritet që angazhimet dhe përpjekjet për barazi gjinore të vijnë vetëm nga gratë. Kështu që, krahas atij rrjetëzimi dhe hapësirës së mirë, për me arritë së bashku për të arritur barazi, të bashkohet edhe gjysma tjetër”, tha Idrizi.

Sipas saj, ajo thotë se duhet të punohet çdo ditë, jo vetëm për 8 Mars ose Javën e Gruas për të bërë përpjekje të pandalshme për të qenë të barabartë.

“Një ndër pengesat më të mëdha në vendimmarrje për të luftuar stereoptipet gjinore është fuqizimi ekonomik i gruas, sepse nuk mund të flasim për fuqizim politik të grave kur ato fillimisht ato nuk janë ekonomikisht të pavarura. Po ashtu, atyre nuk u jepet hapësira e duhur për të qenë të barabarta.

Ne në kuadër të PDK-së, kemi qenë të angazhuar këto vjetët e fundit të arrijmë në agjendën tonë 50-50, që e kemi lansuar në vitin e kaluar me synim që ta arrijmë objektivin deri në vitin 2025.

E kemi vërejtur gjatë zgjedhjeve të Rinisë Demokratike tash se kanë filluar të reflektojnë dhe sa janë fuqizuar vajzat, të cilat veç kanë qenë pjesë të strukturave. Kemi pasur njësoj edhe gara, të cilat kanë qenë pjesë të strukturave, por u ka munguar besimi të garojnë me burrat. Prandaj, gratë duhet të iknkurajohen që të marrin hapësirën, të cilën shpesh e kanë të okupuar nga burrat”, është shprehur Idrizi.

Shpërndaje në

U Kopjua