Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka paralajmëruar se grupi parlamentar ku ai bën pjesë së shpejti do të ngrejë dy kallëzime penale ndaj KEK-ut dhe ZRRE-së.
Sipas tij, këto dy ndërmarrje kanë bërë shkelje flagrante gjatë periudhës së menaxhimit të energjisë elektrike, kur vendi ynë ishte në krizë të tillë.
Tahiri thotë se ZRRE-ja ka lënë që disa operatorë të jashtëligjshëm të shesin energji elektrike.
“Ne si Grup Parlamentar, padyshim jemi duke i nxjerr të gjitha gjetjet dhe jemi duke përgatitur një kallëzim penal ndaj ZRRE-së që ka lënë në mënyrë të jashtëligjshme të operojnë operatorë pa licencë të shesin energji elektrike në vendin tonë. ZRRE-ja do të ballafaqohet me një kallëzim penal nga grupi parlamentar”, tha ai gjatë seancës së sotme.
“Po ashtu, si grup parlamentar jemi duke përgatitur kallëzim penal edhe ndaj KEK-ut, që bën shpronësim taksave të e qytetarëve të Kosovës pa dhënë shpjegime të qarta se cila ka qenë baza ligjore dhe çka i ka dhënë atij drejtë që në mënyrë vullnetare t’i dalin ato mjeta nga xhirollogaria e KEK-ut, që vendosen prej ministrisë së Energjetikës, qeverisë, në xhirollogarinë e KEK-ut dhe pastaj t’i shkojnë direkt KESCO-s”, tha Tahiri.
Tahiri pyeti se cilat kanë qenë procedurat për këtë çështje, pasi u shpreh i bindur se veprimet e tilla paraqesin disa vepra penale.