Në Gjakovë nuk ka riorganizim të arsimit, por edhe atje shumë nxënës tashmë janë në shkolla tjera pasi kanë emigruar nga fshatrat. Objektet ku ishin këto shkolla edhe janë dëmtuar, e komunarët thonë se përgjatë tetë viteve janë rreth 4 mijë nxënës më pak.
Vetëm para dy vitesh oborri i shkollës në fshatin Shishman të Gjakovës vlonte nga prania e nxënësve, ndërsa sot jo vetëm që shkolla është mbyllur për shkak të rënies së numrit të tyre por edhe objekti i saj po shkatërrohet dita-ditës.
Krejt kjo po ndodh si pasojë e largimit të banorëve drejt qytetit e sidomos emigrimit, thotë Xhavit Kajtazi nga ky fshat.
Por nuk është vetëm shkolla në Shishman që është mbyllur gjatë viteve të fundit. Të njëjtin fat sivjet e patën edhe disa shkolla të tjera siç është ajo në fshatin Nec, thonë zyrtarët e Arsimit në Gjakovë.
Sipas zyrtarëve të Arsimit në Gjakovë, vetëm gjatë periudhës 2015 -2023 në shkollat e kësaj komune nga klasa e parë deri në të nëntën janë rreth 4000 nxënës më pak./rtk