Sipas ekspertëve, sekreti i një familjeje të lumtur është i ashtuquajturi “prindërim dembel”, i cili bazohet në idenë se nuk është e nevojshme të “rrotulloheni” pandërprerë rreth fëmijëve tuaj dhe të mbani kontroll të vazhdueshëm mbi atë që bëjnë ata. Prindërimi pasiv do t’i lejonte ata të rriteshin në mënyrën më të mirë.
Ky është modeli i kundërt me atë të ndjekur nga “prindërit helikopterë”, jeta e të cilëve graviton vazhdimisht rreth asaj të fëmijëve të tyre, mbi të cilët duan të kenë kontroll të plotë. Të qenit në gjendje të luajë dhe të përjetojë lirisht është shumë e rëndësishme për fëmijët. Në këtë mënyrë, ata mund të ndërtojnë identitetin e tyre dhe të mësojnë të menaxhojnë mërzinë. Përfiton edhe funksioni i trurit të tyre, pasi do të stimulohen për të zgjidhur vetë problemet.
Ky lloj prindërimi mund të ndihmojë gjithashtu në ndërtimin e vetëbesimit të fëmijës teksa ai mëson t’i bëjë gjërat vetë dhe të marrë përgjegjësinë për veprimet e tij.
Prindërimi dembel i lejon prindërit të jenë aty për fëmijët pa i mbytur ata me vëmendje,” thonë ekspertët.
“Në vend që t’i mbani për dore çdo minutë të jetës së tyre, është mirë t’i lejoni fëmijët të marrin vendimet e tyre dhe të ndërhyjnë vetëm kur kanë nevojë për ndihmë.”
Një qëndrim më ndërhyrës në jetën e fëmijëve tuaj mund të jetë kundërproduktiv. Në fakt, kjo i pengon ata të mësojnë t’ia dalin vetë dhe madje si të rritur ndoshta do të kenë nevojë për një figurë referuese. Përveç kësaj, kur të arrijnë moshën e adoleshencës, fëmijët mund të fillojnë të mendojnë se janë të paaftë, sepse nuk janë në gjendje të kujdesen për veten.
Të jesh prind dembel nuk do të thotë të jesh i painteresuar për fëmijën tënd, përkundrazi. Një prind dembel, ndërsa u jep fëmijëve të tyre të gjithë hapësirën që u nevojitet, është gjithmonë i vëmendshëm ndaj asaj që bëjnë. Vetëm në rast rreziku apo nevoje ai është i gatshëm të ndërhyjë. Megjithatë, ai i lejon fëmijët të bëjnë gabime sepse e di se kjo është mënyra e vetme që ata mund të mësojnë.