Live

Përplasja e trenit në Greqi: Të mbijetuarit përshkruajnë ‘sekonda makthi’

10:23 / 01 Mars 2023

Nga Kosova Live

Të mbijetuarit kanë treguar për “10 sekondëshin e makthit” pasi vagoni i tyre i trenit u përmbys dhe u përfshi nga flakët në një aksident në Greqinë veriore.

Të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në përplasjen kokë më kokë midis dy trenave pranë qytetit të Larisës mbrëmjen e së martës.

Ekipet e shpëtimit kanë punuar gjatë gjithë natës për të gjetur të mbijetuar.

“Dëgjuam një zhurmë të madhe,” tha pasagjeri 28-vjeçar Stergios Minenis, i cili u hodh në vend të sigurt nga rrënojat.

“Ne po rrotulloheshim në tren derisa ramë në krahë dhe derisa u ndal zhurma. Pastaj u bë panik. Kabllot, zjarri. Zjarri ishte i menjëhershëm. Teksa po ktheheshim po digjeshim. Zjarri ishte djathtas dhe majtas”, u citua Minenis nga agjencia e lajmeve Reuters, raporton BBC.

“Për 10, 15 sekonda ishte kaos. Përmbysje, zjarre, kabllo të varura, xhama të thyer, njerëz që bërtisnin, njerëz të bllokuar”

Njerëzit kanë përshkruar se si u duhej të zvarriteshin nëpër dritare dhe mbi xhama të thyer teksa  përpiqeshin të arratiseshin.

Sipas një pasagjeri të tronditur që foli për televizionin Skai, “xhamat shpërthyen papritur” dhe “njerëzit po bërtisnin dhe kishin frikë”.

“Fatmirësisht, ne mundëm të hapnim dyert dhe të arratiseshim mjaft shpejt. Në vagonët e tjerë nuk arritën të dilnin, madje një vagon mori flakë”.

Bashkëpasagjeri Angelos Tsiamouras tha për mediat lokale se përplasja ishte ndjerë si një tërmet, ndërsa një tjetër i quajtur Lazos i tha gazetës Protothema: “Unë nuk u lëndova, por u ndota me gjak nga njerëzit e tjerë që u plagosën pranë meje”.

Treni i pasagjerëve po udhëtonte nga Athina për në qytetin verior të Selanikut kur u përplas kokë më kokë me trenin tjetër të mallrave, duke shkaktuar zjarr në të paktën një nga vagonët.

Ai përshkruhet si përplasja më e rëndë e trenit që Greqia ka parë ndonjëherë, por ende nuk dihet shkaku i përplasjes.

Rreth 150 zjarrfikës dhe 40 ambulanca ishin në vendngjarje, thanë shërbimet greke të urgjencës, me vinça të përdorur gjithashtu për të hequr mbeturinat.

“Ishte një përplasje shumë e fuqishme,” tha për televizionin shtetëror guvernatori rajonal i rajonit të Thesalisë, Kostas Agorastos.

“Kjo është një natë e tmerrshme… Është e vështirë të përshkruhet skena”

Ai shtoi se katër vagonët e parë të trenit të pasagjerëve u dolën nga shinat, dhe dy vagonët e parë morën flakë dhe u “shkatërruan pothuajse plotësisht”.

“Ata po udhëtonin me shpejtësi të madhe dhe njëri (shofer) nuk e dinte se tjetri po vinte,” tha guvernatori.

Kushtet për punonjësit e shpëtimit ishin “shumë të vështira” për shkak të “ashpërsisë së përplasjes”, u tha gazetarëve zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës, Vassilis Varthakoyiannis, transmeton Klan Kosova.

“Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë në tërë jetën time. Është tragjike. Pesë orë më vonë ne po gjejmë trupa”, tha një shpëtimtar i rraskapitur që doli nga rrënojat.

“Po jetojmë një tragjedi. Po nxjerrim njerëz të gjallë, të plagosur… ka të vdekur. Do të jemi gjithë natën këtu, derisa të mbarojmë, derisa të gjejmë personin e fundit”, tha një tjetër punonjës vullnetar shpëtimi për ERT.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...