Live

Përurohet çerdhja e re në Xërxe të Rahovecit

12:08 / 21 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Në fshatin Xërxë të Rahovecit sot (e mërkurë) është përuruar objekti modern i çerdhes e cila iu dedikohet fëmijëve nga 9 muaj deri në 5 vjet të kësaj zone. Ky projekt i cili është investim i Komunës së Rahovecit i cili ka kushtuar mbi 156 mijë euro ndërsa siç u tha pritet të funskionalizohet në 6 muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se kjo çerdhe që është e ndërtuar me standarde të larta, por ka nevojë për inventarizim dhe për këtë u shpreh se kanë bërë kërkesë në MASHT.

Sipas tij, në fillim të vitit të ardhshëm do të bëjnë edhe rekrutimin e stafit të edukatoreve që do të punojnë në këtë institucion.

“Ky projekt mbi 156 mijë euro dhe në këtë objekt mund të përfshihen fëmijë të grupmoshave të ndryshme nga 9 muaj deri 5 vjet. Sigurisht që ky objekt nuk është i plotësuar ende për shkak se ngaherë kemi bërë dhe vazhdojmë të kërkojmë me ngulm dhe inventarizimin e objektit, pra pajisjen e këtij objekti me krejt elementet të cilat janë të nevojshme për një funksionalitet të plotë per dedikimin e këtij objekti për nevojat e fëmijëve dhe edukatorëve. Në fillim të vitit 2023 ne do të kemi mundësi që të rekrutojmë stafin e edukatoreve të cilat do ta kryejnë detyrën e vetë për fëmijët qe regjistrohen në ketë çerdhe…. Per inventarizimin e objektit kemi bërë kërkesë në ministri dhe shpresojmë që shumë shpejt të inventarizohet”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Arsimit në Rahovec, Avni Morina u shpreh se kjo çerdhe plotëson kushtet për një edukim cilësor.

“Iu uroj për këtë objekt të ri i cili është i standardeve bashkëkohore, i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret për një edukim sa më cilësor të fëmijëve tanë duke filluar nga 9 muaj deri 5 vjeç”, tha ai.

Kryetari i fshatit Xërxë, Artan Thaci duke e quajtur këtë cerdhe si projekt të rëndësishëm për banorët e kësaj ane, ai kërkoi që edhe të punësuarit në këtë objekt të jenë nga fshati.

“Kjo çerdhe moderne siç po shihet do të përmbush të gjitha kapacitetet dhe nevojat e fëmijëve tanë si banorë të fshatit Xërxë pse jo edhe të fshatrave afër nesh. Çerdhja do të funksionalizohet në 6 muajt e parë të vitit të ardhshëm ku shpresojmë se pas fillimit të saj stafi i punësuar në këtë çerdhe si edukator, punonjës teknik e administrator do të jenë nga fshati Xërxë pasi në fshat kemi shumë të rinj e të reja që kanë përfunduar studimet per edukim dhe presim të punësohen”, tha ai.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...