Live

Petkoviq: Hyrja e Kosovës në OKB për ne është vija e kuqe

10:19 / 22 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, në një paraqitje në televizionin publik serb RTS ka thënë se për Serbinë hyrja e Kosovës në OKB është vija e kuqe, dhe se “kjo nuk do të pranohet”.

Ai gjithashtu pretendon se “bashkësia ndërkombëtare e ka kuptuar kërkesën e presidentit Vuçiq që Perëndimi të ushtrojë presionin e nevojshëm ndaj Kosovë që të ndalojë me “vendimet e çmendura” të Kurtit”.

“Presidenti Vuçiq luftoi në Bruksel për të ruajtur paqen, për t’u lënë një të ardhme më të mirë fëmijëve tanë dhe jo një konflikt të ngrirë”, e kryen detyrën Petkoviq për lavdërimin e shefit të tij, transmeton Paparaci.

“Situata ishte shumë e tensionuar. Presidenti Vuçiq ishte i gatshëm për zgjidhje kompromisi. Nuk arritëm marrëveshje, sepse Kurti këmbëngulte se ai ishte i interesuar vetëm për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, që ka njohjen reciproke si pjesë qendrore e këto janë dëshirat e tij dhe se “kjo nuk ekziston në dialog”, ka pretenduar Petkoviq.

“Kurti thotë se Rezoluta 1244 nuk vlen më. Ne ishim të gatshëm të pranonim propozimin dhe të mos lëshojmë targa të reja, dhe që Prishtina ta pezullojë vendimin e saj. Kurti insiston në diçka që nuk është e drejtë ndërkombëtare. Ai donte që mos të merremi vesh për çështjet një nga një, por donte të diskutohet për njohjen reciproke dhe nuk dëshiron të zbatojë Asociacionin, e që është obligim i Prishtinës. Për ne është vija e kuqe që Kosova të anëtarësohet në OKB, ne nuk do ta pranojmë këtë”, ka përfunduar Petkoviq.

Shpërndaje në

U Kopjua