Live

Petkoviq: Nuk do të lejojmë që Gjykata Kushtetuese të ndaloj formimin e Asociacionit

14:40 / 30 Mars 2023

Nga Kosova Live

I ashtuquajturi drejtori i zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë se taktika e Kosovës është e qartë për të mashtruar sërish Brukselin dhe për të shmangur formimin e Asociacionit, në përputhje me katër marrëveshjet e nënshkruara.

Në këtë mënyrë Petkoviq ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrullah Çeku, i cili tha se “mund të formohet Asociacioni i Komunave Serbe, gjë që kërkohet në aneksin e zbatimit të marrëveshjes me Serbisë, por që menjëherë do të shqyrtohet para Gjykatës Kushtetuese, ku do të dështojë sërish”.

“Tani ministri i Kurtit e konfirmoi bardhë e zi dhe u tregoi të gjithëve se kush po i thyen marrëveshjet”, tha Petkoviq, duke pritur reagimin e të dërguarit special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak.

Më tej Petkoviq shton se “qëllimi i Kosovës për t’u fshehur pas Gjykatës Kushtetuese nuk do të kalojë”.

“Kosova nuk ka ndërmend të lejojë ndonjëherë Asociacionin dhe fshihen pas Gjykatës Kushtetuese. Këtë nuk do ta lejojmë”, deklaroi Petkoviq.

Shpërndaje në

U Kopjua