Plagosja e dy të rinjve serbë në Shtërpcë nga ushtari i FSK-së, Azem Kurtaj, ka nxitur reagime të mëdha në vend.
Prokuroria e ka akuzuar atë për kryerjen e veprës penale vrasja e rëndë në tentativë , ndërsa mbrojtja ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë, duke thënë se Kurtaj armën e ka përdorur në vetëmbrojtje.
Ushtarit të FSK-së, i cili është djalë dëshmori, i kanë dalë në mbrojtje edhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka cituar pjesë të Ligjit për FSK-në, ku ushtarit të FSK-së i lejohet përdorimi i forcës për vetëmbrojtje.
“Në bazë të logjikës politike dhe turmës së rrjeteve sociale, nëse një pjesëtar i FSK-së nuk paska të drejtë të përdor forcën duke përfshirë edhe forcën vdekjeprurëse për ta mbrojtur veten, si mund të kenë besim qytetarët se do të mbrohen nga ai në rast rreziku e kur nuk ka psh. polic aty?!”, ka shkruar Klinaku.
Ligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës në nenin 10 tregon se kur ushtari i FSK-së mund ta përdor forcën.