Pamje si nëpër filma kanë parë qytetarët dhe kalimtarët dje në Prevallë. Mosmarrëveshja ndodhi mes disa shitësve ambulantë dhe një shoferi kapadai që parkoi veturën para biznesit të tyre.
Mosmarrëveshja verbale u shëndrrua më pas në një film të metrazhit të shkurtër kur në vendin e ngjarjes arriti një polic civil. Pronarët e biznesit kanë thënë për Indeksonline se polici pa treguar fare dëshminë e detyrës së tij, ka nxjerrur armën duke ua drejtuar tre vëllezërve Shabani.
Indeksonline ka siguruar pamjet e këtij momenti kur fillimisht polici nxjerrë armën dhe e mbanë në duar dhe më pas ngrit zërin duke dhënë urdhër që të shtrihen për toke.
Sipas dëshmitarëve, polici rreth 15 minuta pas këtij rasti ka shkuar tek vetura duke nxjerrë ID-dokumentin për të dëshmuar se është polic.
“Polici ka qenë familjar me personin që jemi konfrontuar. Njëri nga ta ka patur veturën pa doganë dhe pa regjistrim e cila ka ikur nga vendi i ngjarjes. Vetura e njëjt është kapur më pas nga Policia në Shtërpc. Polici na e ka nxjerrur armën duke mos na treguar se ushtron këtë profesion dhe se tek pas 15 minutash e ka marrë në veturë ID-dokumentin. Më pas e ka ftuar një patrullë policore, sjellja e të cilëve ka qenë tërësisht jokorrekte. Policët na i kanë marrë telefonat mobilë dhe na i kanë fshirë inçizimet që i kishim për këtë rast dhe dëshmirë për sjelljen joprofesionale. Duke qenë pre e sulmit, policia na ka marrë neve duke na dërguar në stacion për intervistim. Ne e kemi lajmëruar edhe Inspektoriatin për këtë ngjarje” ka thënë njëri nga vëllezërit Shabani për Indeksonline.
Lidhur me këtë rast, Indeksonline ka pyetur edhe Inspektoriatin, por ende s’ka pranuar përgjigje.
Policia e ka cilësuar rastin në fjalë si lëndim i lehtë trupor.
“Pas një mosmarrëveshje katër të dyshuar meshkuj kosovarë kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar, të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt” thuhet në raportin e Policisë për rastin e djeshëm në Prevallë.