Policia e Kosovës, me datën 19.11.2019, në qytetin e Vushtrrisë, ka arrestuar 6 (gjashtë) persona për veprën penale ‘organizim i skemave piramidale dhe bixhozit’.
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, Sektori i Hetimeve, pas pranimit të disa informacioneve nga burime të sigurta, është angazhuar në terren për verifikim të informacioneve, përveç asaj janë ndërmarrë edhe veprimeve të tjera hetimore, me ç’rast është konfirmuar që në disa lokacione në Vushtrri janë duke u zhvilluar veprimtari e kundërligjshme e lojërave të fatit, të cilat kohë më parë janë ndaluar me ligj.
Me urdhër të Gjykatës Themelore Mitrovicë janë kontrolluar 6 (gjashtë) lokale të ndryshme në të cilat ishin duke u zhvilluar lojëra të fatit, me ç’rast si prova materiale përkohësisht janë sekuestruar :
- 30 TV,
- 17 shtëpiza kompjuteri,
- 2 telefona,
- 3 monitorë,
- disa bilten për baste, tiketa dhe dokumente të ndryshme relevante për rastin.
Po ashtu në vendngjarje janë arrestuar këta persona:
- I. M. lindur me 1959 m/sh/k
- B. B. lindur me 1980 m/sh/k
- G.P. lindur me 1990 m/sh/k
- S.S. lindur me 1985 m/sh/k
- F. I. lindur me 1968 m/sh/k
- V. M. lindur me 1996 m/sh/k
Personat e dyshuar të lartcekur janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit të PTH Mitrovicë janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Operacioni është zhvilluar në mbështetje të njësiteve policore Prishtinë, Vushtrri si dhe Inspektorati Komunal Vushtrri, të cilët kanë mbyllur të gjitha lokalet e kontrolluara.