Rreth gjysmë milion euro.
Kaq është shuma që ka planifikuar të japë për ndërtimin e një garazhde në kampin në Vrellë, që e përdor tash e sa kohë për nevojat e veta, Policia e Kosovës.
Ajo ka rekomanduar për tender kompaninë, Euroing. Kontrata mes palëve pritet të nënshkruhet pas pak ditësh.
Kompania e përzgjedhur është më e lira në mesin e krejt kompanive që aplikuan për këtë aktivitet prokurimi.
Ajo ofertoi me 483 mijë euro. Ndërkohë të gjitha ofertat tjera konkurruese e kalonin shifrën prej 500 mijë sosh.
Kampi “Vrella” përdoret nga Policia e Kosovës për ushtrimin e pjesëtarëve të saj.
Pak muaj më parë, aty u mbajt ceremonia e certifikimit të zyrtarëve të njësiteve elite të Policisë së Kosovës, përkatësisht Njësitit Special Intervenues (NJSI) dhe Njësisë Speciale Operative (NJSO).