Live

Policia që pesë muaj pa drejtor të përgjithshëm, çfarë ndodhi me konkursin e MPB-së?

19:27 / 31 Janar 2023

Nga Kosova Live

Të hënën janë bërë pesë muaj prej që ka dhënë dorëheqje nga detyra drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Prej asaj kohe ende ky institucion nuk ka arritur që ta ketë një drejtor të ri.

Fehmi Hoti vazhdon të mbetet ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm, ndonëse i njëjti nuk ka konkurruar fare as në konkursin e shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) për të qenë drejtor i ri policie.

IndeksOnline ka dërguar muaj më parë pyetje në adresë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të marr një përgjigje se çfarë ka ndodhur me këtë konkurs, por të njëjtit nuk kanë kthyer fare përgjigje.

Në konkursin e fundit për pozitën drejtor i përgjithshëm i policisë, kishin aplikuar pesë zyrtarë të lartë të policisë, mirëpo nuk dihet ende pse është bllokuar ky proces.

Emërimin e drejtorit të policisë e bënë kryeministri pas rekomandimit që ia dërgon kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas konkursit, Drejtori i Përgjithshëm i raporton dhe i përgjigjet drejtpërdrejt ministrit të Punëve të Brendshme për administrimin dhe menaxhimin e Policisë së Kosovës.

Konkursi ishte i brendshëm pasi që kriter për këtë pozitë është grada policore kolonel, nënkolonel ose major, së paku pesë vjet.

Secili kandidat për këtë pozitë, duhet t’i nënshtrohet verifikimit të sigurisë sipas ligjit të aplikueshëm.

Ndryshe me 30 gusht të vitit 2022, Samedin Mehmeti kishte dhënë dorëheqje duke thënë se po largohet nga kjo pozitë për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.

Mirëpo së fundi Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur aktakuzën ndaj pesë të akuzuarve për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares. Vetëm një ditë më pas, Apeli ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore dhe ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore.

Gjykata e Apelit siç është potencuar në komunikatë, ka vlerësuar se aktvendimet e gjykatës së shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave, respektivisht propozimit është si rezultat i shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat shkelje kanë kushtëzuar që aktvendimet ankimore të anulohen dhe çështja të kthehet në rivendosje./IndeksOnline/

Shpërndaje në

U Kopjua

Të tjera nga Lajme