Live

Postimi kundër Shkëlzen Gashit, vazhdon t’i sjellë probleme Jakup Krasniqit në Gjykatën Speciale

12:26 / 29 Janar 2023

Nga Kosova Live

Një postim i Jakup Krasniqit i bërë kohë më parë kundër Shkëlzen Gashit, ish-këshilltar i kryeministrit Kurti, po vazhdon t’i përdoret Krasniqit në Gjykatën Speciale.

Më saktë, Prokuroria e Specializuar po e përmend atë postim si një nga arsyet që Jakup Krasniqi të mos lirohet nga paraburgimi.

Kjo pasi prokurorët e përdorin si argument, tentimin e Krasniqit për të ndikuar dhe kërcënuar dëshmitarët.

Çka është ky postim?

Shkëlzen Gashi sa ishte këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në një debat televiziv, kishte deklaruar se Dick Marty nuk është antishqiptar. Ai kishte folur edhe për krimet e luftës të cilat pretendonte se i kishte kryer Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Pas këtyre deklaratave, Gashi ishte shkarkuar. Megjithatë, reagimet ndaj tij, ishin të shumta.

Në mesin e atyre që reaguan ishte edhe Jakup Krasniqi. Ai kishte thënë se kush e bën Dick Martyn hero, është kolaboracionist.

E ndaj përdorjes së këtij postimi nga Prokuroria, ka reaguar avokatja e Jakup Krasniqit në Hagë.

“Prokuroria gjithashtu është mbështetur në një postim në Facebook të bërë nga z. Krasniqi më 24 prill 2020, për të mbështetur pohimin se ai do të pengonte procedurat. Mbrojtja pohon se kjo është e pamjaftueshme për të nënkuptuar një rrezik real të pengimit të procedurës, veçanërisht që faza aktuale e procedurave është më shumë se dy vjet pas postimit në Facebook”, ka thënë avokatja Alagendra.

Shpërndaje në

U Kopjua